Në kuadër të realizimit të projektit Tech4Policy, kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, ka pritur sot në një takim përfaqësueset e Organizatës ODK-së (Open Data Kosovo), ku është biseduar rreth mbledhjes dhe prezantimit dhe të të dhënave në sistemin edukativ e arsimor.
Komuna e Vitisë do të jetë përfituese e një zgjidhje digjitale për të kontribuar në sfidat e qeverisjes dhe demokratizimit në komunat e Kosovës. ODK do të zhvilloj një platformë që do i mbledh dhe prezantoj të dhënat rreth sistemit edukativ dhe arsimor në nivelin e arsimit të mesëm të lartë, ndërkaq kjo platformë do të realizohet si rezultat i bashkëpunimit të ngushtë të komunitetit dhe Komunës së Vitisë.
Indeksi Rajonal i Hapjes Institucionale matë shkallën se sa institucionet e vendeve të Ballkanit Perëndimor janë të hapura për qytetarët dhe shoqërinë dhe kjo është e bazuar në katër parime: transparencën, qasshmërinë, integritetin dhe efikasitetit.
Parimi i transparencës kërkon që informacionet organizative, buxheti dhe procedurat të prokurimeve publike janë në dispozicion të publikut dhe publikohen rregullisht dhe janë të përditësuara.
Qasshmëria është e lidhur me sigurimin dhe respektimin e procedurave për qasje të lirë në informata, duke përmirësuar çasjen e informacionit me anë të debateve publike dhe forcimin e ndërveprimit dhe komunikimit me qytetarët. Integriteti përbëhet nga mekanizmi për parandalimin e korrupsionit, Kodit të Etikës dhe rregullimin e lobimit.
Parimi i fundit, efikasiteti, i referohet monitorimit dhe vlerësimit të politikave të kryera nga institucionet.
Në kuadër të matjes së hapjes institucionale komuna e Vitisë, konsiderohet si një ndër më të suksesshme krahas komunës së Prishtinës dhe Gjilanit duke shënuar 55% të indikatorëve.
Kjo matje bëhet në kuadër të projektit të “Llogaridhënia, Teknologjia dhe Hapja Institucionale në Regjionin e Evropës Juglindore – ActionSEE është projekt i financuar nga Bashkimi Evropian për rrjetin e organizatave joqeveritare në Ballkanin perëndimor”.