Është shënuar sot dita e shkollës fillore në Malishevë të Gjilanit, e cila e mban emrin e heroit të kombit, Abdullah Tahiri, në 20 vjetorin e rënies së tij.
Kreu i Gjilanit, Lutfi Haziri, tha se nxënësit e kësaj shkolle duhet të jenë krenar që çdo ditë e shkruajnë ën fletoret e tyre emrin e heroit.
“Nxënësit e kësaj shkolle duhet të jenë krenar që e shkruajnë emrin e Abdulllahut. i cili u kryengrit që nxënësit këtu dhe kudo në Kosovë të mësojnë shqip, lirshëm dhe pa presione. Uroj menaxhmentin e shkollës, nxënësit, mësimdhënësit e prindërit. Ne e kemi bërë një gjest të vogël dje duke e respektuar veprën e tij dhe duke e kthyer në bronz. Ai është gardian i lirisë së Kosovës”, ka thënë Haziri.
Drejtori i shkollës fillore “Abdullah Tahiri, Rashit Sahiti, pasi e ka falënderuar kryetarin Haziri për mbështetjen e vazhdueshme, ka uruar nxënësit, arsimtarët dhe prindërit, duke shtuar se është krenar me të arriturat e nxënësve në gara të ndryshme.
Kurse, në emër të familjes ka ka folur Bejtulla Tahiri, njeriu i cili ka rrugëtuar bashkë me heroin e kombit Abdullah Tahiri për disa vite.
“E vështirë sot të flas për veprën e Abdullah Tahirit sepse po më tradhëtojnë emocionet. Ndryshimet që kanë ndodhur në Kosovë janë ndryshime pozitive. Kryetari Lutfi Haziri i cili tha se 10 vite ka rrugëtuar me heroin, e di që kemi festuar 10 vite në robëri. Dallimi është se sot po festojmë në liri”, ka thënë ai.
Në fund, për publikun u dha një program i pasur kulturor-artistik i përgatitur nga nxënësit e shkollës “Abdullah Tahiri”.