Odise PLAKU
ME FRYMËN TËNDE BUZËVE TË MIA
( Cikël poezish )
NGA NETËT TONA
Të vrava, dreqkë, me puthje në timin harbim,
në natën e gjatë, që nuk kishte mbarim.
Treteshim e kujtoheshim në tjetrin harrim,
bubullinim ne a jashtë ishte i dimrit gjëmim?
Një natë sa mijëra net djegin shtratin tonë,
brinjët – ah! – të vrisja me të miat ledhatime.
Kapërthyer si hardhia në trung të manit rrije,
të lëshoja, më kapje; të rrëzoja, më shtrëngoje.
Si të ndërkryer rrokulliseshim në qilim të qiellit,
as unë e as ti nuk e gjenim rrugën e shpëtimit.
Re të reja lindnin nën renë ku trupat vilanoseshin,
në djersë trupin larë, aromë parfum dashurie.
UNË TË DU
Unë i du, i du o zemër ata sytë e tu
vec një gjë kam me të tregu
ta them sot dhe mos me e harru
për ty me vdekë nuk kam me përtu.
Unë të du, të du dhe me ty kam me jetu,
si në dimer e në verë kam me të dashuru.
Po erdha sot kurrë nuk kam me shku,
të du me shpirt, jo me t’u përgjëru.
Ti je gaca që ndezur zjarrm ma mban,
vec në gjoksin tënd e bëj derman.
Une jam bredhi që plakem në korie,
në degët e mia ti je këngë dashnie.
Unë i du, i dua bashë ata sytë e zinj,
kur më shohin djegin porsi dy thëngjij.
Unë të du për sot e për tjetrin mot,
pa zërin tënd bota më duket e kot.
ÇAST I PËRHUMBUR
E putha për herë të fundit në ikjen turravrap,
e mallkova veten, e pyeta zotin në ishte mëkat.
Veten e mbylla dhe gjumin nga syri e përzura
çastin e dogja e fatin prej flokësh e tunda.
Oh, ti çast i përzhitur në puthje e ledhatime,
çfarë më bërë që dergjem në përgjërime.
Zvarre po hiqem në rrugën e pendimit,
o çast që drithërove zemrën time.
Mëkat bërtet bota sonte më ulërimë,
kamxhikët dërrmojnë shpatullat e gjoksin tim.
Oh,çast që shpirtin ma ndeze si vullkani
më erdhe si engjëll, më tundove si shejtani.
Oh, çast të mallkoj e prapë të kërkoj
më sëmure dhe nga mëkati dot nuk shpëtoj.
Kamxhikët dhe shigjetat do vazhdoj t’i duroj,
nuk do pendohem pse në jetë do dashuroj.
NE TË DY
Ma jep dorën të shkundim trishtimin supeve tona,
bashkë mundemi akullin në lëndinë ta pikturojmë,
bilbilat të ndezin mëngjesin me këngën e tyre,
dallgët e tërbimit në valëza dashurie t’i shtrojmë.
Veç ne të dy pranverës i çelim shtegun me puthjen tonë,
as dimri peng në degë të zhveshura nuk na mban,
as qielli i grisur nga rrëketë e rrufeve të xhelozisë,
as nata nuk na e prangos dot mëngjesin e dashurisë.
Veç ne të dy gatuajmë bukën e ëmbël të jetës,
me miellin situr nga shpirtrat tanë të dashuruar,
me të ëmblën mirësinë në sofër të së ardhmes mbrujtur,
në copëza gëzimi nga njëra dore të tjetra kaluar.
Veç ne të dy në direk të jetës mbështetur si një sup,
një zemër të rrahë pa ligësinë fshehur skutave,
një hap në rrugën e bardhë të ëndrrës së vërtetë,
aty do mbetem me frymën tënde buzëve të mia përjetë.
TEKANJOZE
Hej, tekanjoze me një fjalë botën ma përvëlon,
inatçore në sekondë kështjellën e dashurisë rrëzon.
Ulëret sikur gjëma mbi supe të është ulur,
habitem se vuan sikur zemra vendit të është shkulur.
Tekanjoze rritu e veten në ujë mos e fut me siklet,
mllefin derdhe në lum dhe flake tej në det.
Mos i gris faqet me thonjtë e lyer me manikyr,
zemrën lëre të rrahë si është krijuar, mos e kthe në gur.
Tekanjoze shëmtinë pse e ngjit në portret,
qeshu dhe gëzohu se jeta shkon e nuk pret.
Mos luaj nervash se veten si hekuri e ndryshk,
lulëzohu në degë të dashurisë e mos rri rrëzës si myk.
Tekanjoze unë prapë si i çmendur do të dua,
je shpirt, je xhan, je jetë e dritë kurdoherë për mua.
Dashurinë s’ta dhashë për tekat e nazet e tua,
Më ke lodhur, më mërzite, por prapë nuk iki se te dua.
PRAPË I YTI JAM
Nëse zemra ime rreh brenda të voglës zemrës sate,
nëse fryma ime të mban ty ende në këtë dreq jetë,
nëse për kokën time në gjoksin tënd ka pakëz vend,
i yti jam përsëri dhe pse dhimbja jote fort më godet.
Vetëm sonte nëse trupi të përvëlohet ne vetmi,
lërmë të tregoj si zjarrin e shuan e imja dashuri.
Rri e mos shko se do pendohesh e do të jetë vonë,
i yti jam prapë dhe pse dhimbja keq më shkallmon.
Për ty shkel dhe veten në brigjet e mallit e harroj,
si sëmundje më lëvrin nëpër gjak e prapë duroj.
Dhëmbët m’i ngul e mishin çika-çika ma kafshon,
i yti jam prapë dhe pse dhimbja keq më shkallmon.
Për çudi prapë të dua dhe pse tinëzisht luan me mua,
më pret e gjakos e sytë m’i nxjerr me të gjatin thua.
Mallkoj motin që më lindi e shpirtin që po të duron,
i yti jam prapë dhe pse dhimbja keq më shkallmon.