Me ftesë të kryetarit të Këshilli Kombëtar Shqiptar (KKSH), Jonuz Musliu, është mbajtur një seancë e jashtëzakonshme me pikë të veçantë të rendit të ditës, njoftimi dhe shqyrtimi rreth problematikës së teksteve mësimore për shkollat fillore të dhuruara si donacion nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Republikës së Kosovës.
“Duke shqyrtuar refuzimin e vazhdueshëm pesë mujor nga autoritetet shtetërore serbe që kanë për qëllim bllokimin e teksteve mësimore, respektivisht mos lejimin e përdorimit të tyre nga nxënësit shqiptar, u propozua dhe u vendos mbajtja e protestës para Terminalit doganor në Preshevë – aty ku edhe mbahen tekstet”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga KKSH pas mbajtjes së mbledhjes së jashtëzakonshme, transmeton Titulli.com.
Protesta do të mbahet me datë 18 shkurt të këtij viti me fillim në orën 12.00, me moton “Duam Libra Shqip”.
KKSH me këtë rast fton të gjithë qytetarët që t’i bashkëngjiten, përfshirë këtu përfaqësuesit institucional, përfaqësuesit e partive politike shqiptare dhe ata të shoqërisë civile.