Mbretëria e Lesotos e ka njohur shtetin e Kosovës. Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka marrë konfirmimin zyrtar për njohjen e Kosovës nga Mbretëria e Lesotos. Njohja i është konfirmuar ministrit Hoxhaj nga homologu i tij, Mohlabi Tsekoa.
“Para pak minutash mu konfirmua njohja e radhës për Kosovën nga shteti i Lesotos. E falënderova Ministrin e Jashtëm të Lesotos, Mohlabi Tsekoa për vendimin e marrë. Tani numërojmë 106 vende që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës”, ka theksuar Hoxhaj.
Njohja nga ky shtet i Afrikës, e çon në 106 numrin e shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara që e kanë njohur Republikën e Kosovës.
Ministri Hoxhaj, në kuadër të lobimit të fuqishëm për përmbylljen procesit të njohjeve për Kosovën, gjatë pjesëmarrjes në Samitin Franko-Afrikan në Paris në dhjetor të vitit të kaluar, është takuar edhe me ministrin e Jashtëm të Lesotos, Mohlabi Tsekoa.
Për njohjen e 106-të për shtetin e Kosovës ka shkruar në Facebook edhe kryeministri i vendit, Hashim Thaçi.
“Sapo u informuam se Mbretëria e Lesotho, në Afrikën jugore, ka njohur Kosovën. U bënë 106 shtete që njohën Republikën tonë të pavarur dhe sovrane. Dhuratë e bukur në javën kur festohet ditëlindja e 6 e shtetit”, ka shkruar kreu i ekzekutivit kosovar në Facebook.
Mbretëria e Lesotos shtrihet në kontinentin afrikan dhe është shtet anëtar i Kombeve të Bashkuara që nga viti 1966.