Në Komunën e Vitisë, janë drejt përfundimit mbjelljet vjeshtore të grurit. Këtë e bëri të ditur drejtori për Bujqësi, Pylltari dhe Zhvillim Rural, Naim Pira.
Ai tha se fermerët vitias, duke përfituar nga kushtet e favorshme atmosferike të ditëve të fundit, kanë arritur të mbjellin pjesën më të madhe të tokave të tyre.
Drejtori Pira shtoi se, bazuar në inspektimet e kryera gjatë fundjavës, mbi 98% e sipërfaqeve të planifikuara për mbjellje me këtë kulturë tashmë janë përfunduar.
Sipas tij, për këtë sezonë janë paraparë të mbillen mbi 3500 hektarë me grurë. Megjithatë, ai theksoi se bujqit kanë shprehur shqetësimin për çmimin e lartë të farave dhe plehrave, çka i ka shtyrë shumë prej tyre të përdorin fara të mbledhura nga prodhimi i tyre. /2LONLINE/