Policia e Kosovës ka shpallur listën e rezultateve të testit me shkrim të kandidatëve për zyrtarë policorë, në të cilën figurojnë se 2,233 pretendentë për ta veshur uniformën e policit nuk kanë marrë asnjë pikë. Ndërsa 22 kandidatë të tjerë nuk kanë arritur të marrin më shumë se 10 pikë në këtë test.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani, ka sqaruar për “Epokën e re” se ka pasur kandidatë të cilët kanë aplikuar, por nuk i janë nënshtruar testit, sikurse ka pasur kandidatë të cilët e kanë dorëzuar testin pa e plotësuar fare.
“Disa aplikantë e kanë dorëzuar testin pa e plotësuar fare. Nuk e di për çfarë arsye ka ndodhur kështu, por mund t’u jenë dukur pyetjet e vështira. Ka edhe të atillë që kanë aplikuar, por në ditën e paraqitjes së testit me shkrim kanë munguar”, ka deklaruar Kelani.
Sipas rezultateve të publikuara, 2, 281 kandidatë e kanë kaluar testin me shkrim.
Kandidatët të cilët kanë arritur rezultatin mbi 70 për qind do t’i nënshtrohen testit të shkathtësive fizike, i cili do të mbahet nga data 11 gusht deri më 15 gusht 2014.
Ndërkaq, kandidatët të cilët kanë ndonjë vërejtje në procesin e rekrutimit dhe seleksionimit për çdo fazë të testimit e kanë të drejtën e ankesës. Ankesa duhet t’i adresohet komisionit përzgjedhës jo më larg se pesë ditë nga data e publikimit të rezultateve.
Testi me shkrim i kandidatëve për zyrtarë policorë është mbajtur më 19, 20 dhe 21 korrik.