Protesta po vazhdon në pikën kufitare në Morinë, ku ne kete vend mbi 100 maune janë të bllokuara që nga dita e shtunë. Nuk do të largohemi deri sa të arrimë qëllimet tona, për padrejtesite që po bënë dogana e Kosoves, duke vendosur barriera të ndryshme ndaj importuesve nga Shqiperia, kanë thënë kamionistë të ndryshëm, transmeton RTK.
Autoritetet doganore të pikës kufitare në Vërmicë, kanë rikthyer tarifën prej 40 eurove, të cilën duhet që ta paguajë çdo drejtues automjeti, i tonazhit të rëndë, i cili transporton mallra nga Shqipëria në Kosovë.
Rikthimi i kësaj procedure, e cila hedh poshtë procedurat e përshpejtuara që ishin vënë në fuqi që nga shtatori i vitit të shkuar, ka bërë që në këtë pikë kufitare të bllokohen dhjeta kamionë, të cilët e kundërshtojnë kategorikisht këtë masë.
Nëpërmjet telefonit, disa prej drejtuesve të kamionëve, thonë për RTK-në se kjo është e papërballueshme, e nëse vijon që të aplikohet, ata do të ndryshojnë itinerarin e lëvizjes së tyre, duke futur në Kosovë mallrat nga Serbia apo Maqedonia.
Një masë e tillë, do të ndikonte në mënyrë të drejtpërdrejtë tek të ardhurat që mblidhen nga tregtia e lirë, mes Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe nuk do vinte në zbatim marrëveshjet që janë nënshkruar mes qeverive të të dyja vendeve, Shqipërisë dhe Kosovës.
Vetëm disa muaj më parë, për shkak të rritjes së tarifave doganore nga pala kosovare, reaguan eksportuesit shqiptarë dhe bizneset e Kosovës. Në reagimin e tyre u bënë bashkë më shumë se 150 kompani shqiptare dhe kosovare duke ngritur zërin në zonën neutrale të doganës së Morinës, për të kundërshtuar kështu politikën që po ndiqej ndaj tyre. Përmes pikës kufitare dhe doganës së Morinës në Kukës kalojnë çdo ditë qindra automjete të tonazhit të rëndë që importojnë dhe eksportojnë mallra të ndryshme.