U mbajt tryeza e Mekanizmit Koordinues Kundër Dhunës në Familje (MKKDHF), nën moton “Të bashkuar Kundër Dhunës” dhe sloganin “Sot dhe çdo ditë tjetër”. Ky aktivitet u organizua nga Koordinatorja e MKKDHF, në bashkëpunim me Zyrtaren për Barazi Gjinore, Grupin e Grave të Kamenicës (GGK) dhe organizatën SOLIDAR Suisse.
Takimin e hapi Koordinatorja e MKKDHF, znj. Demolli Kastrati, e cila vuri në pah rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për parandalimin dhe trajtimin e rasteve të dhunës në familje, duke e ndërlidhur aktivitetin me fushatën globale të 16 Ditëve të Aktivizmit Kundër Dhunës me Bazë Gjinore.
Më pas Zyrtarja për Barazi Gjinore theksoi rëndësinë e fuqizimit të grave dhe mbështetjes së familjeve përmes politikave dhe shërbimeve të duhura:
“Barazia gjinore është një faktor kyç për parandalimin e dhunës. Fuqizimi i grave dhe mbështetja e familjeve krijon kushte më të sigurta për të gjithë”.
Në mbledhje morën pjesë Zv. Avokati i Popullit, z. Basri Kastrati, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe organizatave lokale, përfshirë Strehimoren “Liria” Gjilan, Drejtorinë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Prokurorinë, Policinë e Kosovës – Stacioni Policor Kamenicë, Qendrën për Punë Sociale (QPS), Bashkësinë Islame, Zyrën e Punësimit, Grupin e Grave, OJQ Handikos, Zyrën për Ndihmë Juridike Falas dhe OSBE-në.
Pjesëmarrësit diskutuan dhe raportuan mbi përvojat dhe sfidat në trajtimin e rasteve të dhunës në familje, duke ofruar informacione mbi përgjegjësitë dhe qasjen e secilit institucion.
Zv. Avokati i Popullit, z. Basri Kastrati, theksoi rolin e Institucionit të Avokatit të Popullit (IAP) në mbrojtjen e të drejtave të viktimave të dhunës dhe monitorimin e zbatimit të politikave dhe ligjeve që lidhen me këtë çështje. Ai nënvizoi rëndësinë e qasjes proaktive nga të gjitha institucionet për të garantuar drejtësi dhe siguri për viktimat.
Policia e Kosovës raportoi për rastet e regjistruara dhe trajtimin e tyre sipas procedurave ligjore, Prokuroria ndau informacione mbi ndjekjen penale të rasteve të dhunës, ndërsa Qendra për Punë Sociale dhe organizatat joqeveritare përshkruan shërbimet mbështetëse që ofrojnë për viktimat.
Gjithashtu, Strehimorja “Liria” Gjilan raportoi për kapacitetet dhe mbështetjen e ofruar për viktimat, Zyra për Ndihmë Juridike Falas ofroi detaje për shërbimet ligjore të ofruara pa pagesë për viktimat, ndërsa Bashkësia Islame dhe Grupi i Grave theksuan rëndësinë e sensibilizimit të komunitetit për këtë çështje.
Në përmbyllje të takimit, u nxorën rekomandime konkrete që do t’u adresohen institucioneve përkatëse, me qëllim përmirësimin e qasjes së koordinuar dhe forcimin e mekanizmave për parandalimin dhe trajtimin e dhunës në familje. Pjesëmarrësit riafirmuan përkushtimin e tyre për të vepruar së bashku në ndërtimin e një shoqërie të sigurt dhe të barabartë. /2LONLINE/