Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Jetish Maloku, ka udhëhequr takimin e sotëm të Komitetit Drejtues të Strategjisë për Sundimin e Ligjit, i treti me radhë, në të cilin morën pjesë Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), Albert Zogaj dhe Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, si dhe përfaqësues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.
Fillimisht, Kryesuesi Maloku theksoi se beson thellësisht se procesi i rishikimit funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit në Kosovë është një ndër proceset më të rëndësishme për sistemin e drejtësisë dhe se KPK-ja dhe institucionet e tjera, të përfshira në zbatimin e Strategjisë së Sundimit të Ligjit, janë të vetëdijshme se duhet të jetësohet vizioni i reformës në drejtësi dhe të fuqizohet sistemi i drejtësisë në Kosovë. Ai tha se ka angazhim sistematik për zbatimin e aktiviteteve dhe po punohet mirëmenaxhimin dhe për miradministrimin e proceseve që kemi përpara.
Anëtarët e Komitetit Drejtues miratuan Procedurat Standarde të Veprimit për strukturat institucionale të zbatimit të Strategjisë së Sundimit të Ligjit, të cilat kanë të bëjnë me funksionimin e Komitetit Drejtues dhe të organeve të tjera, procedura këto, që standardizojnë procesin dhe evidentojnë detajet e aktiviteteve institucionale.
Pas prezantimit të përgjithshëm dhe raportimeve të veçanta nga anëtarët e organit koordinues ndërinstitucional të Strategjisë, u miratua edhe Raporti vjetor për zbatimin e Planit të Veprimit të Strategjisë për vitin 2022, me ç’rast u konstatuan të arriturat dhe sfidat njëvjeçare dhe hapat e ardhshëm për zbatimin e aktiviteteve që janë duke ngecur. Duhet theksuar se drafti i këtij raporti ka kaluar nëpër fazën e konsultimeve të organizatave joqeveritare, donatorëve dhe publikut.
Ky komitet miratoi edhe listën e dokumenteve me analizat e politikave të Planit të Veprimit të Strategjisë, që i paraprijnë hartimit të Planit të Veprimit të Strategjisë të Sundimit të Ligjit 2024-2026. Me këtë rast janë trajtuar nëntëmbëdhjetë (19) dokumente në kuadër të pesë (5) objektivave që kanë të bëjnë me Gjyqësorin dhe Prokurorinë efikase, profesionale dhe me integritet, fuqizimin e sistemit të drejtësisë penale, fuqizimin e sistemit të drejtësisë civile dhe administrative, digjitalizimin e institucioneve të drejtësisë dhe qasjen në drejtësi, si dhe janë themeluar grupet punuese përkatëse, të cilat do të kenë mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë për hartimin e tyre. /2LONLINE/