Përfaqësues nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) kanë mbajtur takim me përfaqësues nga Administrata Gjyqësore e Norvegjisë lidhur me përdorimin e Sistemit Informativ për Menaxhimin e Lëndëve (SMIL).
Pjesëmarrës në këtë takim ishin: Kryetarja e Komisionit për Performancën e Gjyqtarëve, Teuta Ibrahimi, Kryetari i Komisionit për Administrimin e Gjykatave, Fahret Velija, Shefi i Zyrës së TI-së, Fatmir Rexhepi, Drejtori si Përgjithshëm, z. Sven Marius Urke, Këshilltarja e Lartë Rajonale për Reformën në Drejtësi, znj. Amra Jasarevic dhe z. Audun Hognes Berg.
Qëllimi i këtij takimi ishte për të diskutuar rreth implementimit të suksesshëm të fazave paraprake të projektit SMIL dhe aktiviteteve të planifikuara.
Gjatë takimit u diskutua rreth vazhdimit të implementimit të Projektit SMIL në gjykata dhe prokurori, me ç’rast përfaqësuesit nga KGJK, KPK dhe administrata gjyqësore e Norvegjisë, u dakorduan për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë me qëllim të implementimit të suksesshëm të sistemit SMIL në të gjitha gjykatat dhe prokuroritë e Republikës së Kosovës.
Përfaqësuesit e KGJK-së, kanë falënderuar shtetin dhe popullin norvegjez për mbështetjen dhe financimin e këtij projekti, duke e vlerësuar tejet të rëndësishëm për ngritjen e efikasitetit, llogaridhënies dhe saktësisë së informacioneve të sistemit gjyqësor të Kosovës. /2LONLINE/