Sot në ambientet e RTK-së është mbajtur mbledhje komemorative për gazetaren, Ardita Sylejmani-Bllaca, e cila ndërroi jetë gjatë procesit të lindjes në Budapest. Ardita ishte shembull i gazetarisë së mirëfilltë dhe për një dekadë dha kontributin e saj të çmuar në Dhomën e Lajmeve të RTK-së.
Në fjalën e rastit, drejtori i përgjithshëm i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati, i shprehu edhe një herë ngushëllime familjeve Sylejmani dhe Bllaca, si dhe të gjithë kolegëve e miqve të Arditës.
”Këto ditë të vështira dhe të papërballueshme për të gjithë, ne, i bashkohemi dhimbjes suaj. Lutemi që këtë dhimbje bashkërisht ta kthejmë në qëndresë, forcë dhe krenari për jetën dhe veprën e Arditës. Ajo ishte dhe do të mbetet shembull për të mos u harruar kurrë. Ardita dha një kontribut të madh në RTK gjatë tërë kohës, andaj humbja e saj është humbje e madhe për ne dhe për gjithë gazetarinë kosovare. Përkushtimi në punë për secilën detyrë që iu ka besuar si dhe dashuria për profesionin bëjnë që Ardita të mbetet në kujtesën e familjarëve, miqve dhe kolegëve. Le të prehet e qetë në amshim, derisa kujtimi për të qoftë i përjetshëm”, ka theksuar Kastrati, transmeton RTKlive.
Ndërkohë në emër të familjes një fjalë rasti e mbajti axha i Arditës, Fehmi Sylejmani.
“Ardita iku nga kjo botë në një betejë të vështirë për ta shpëtuar Gretën gjatë një lindje të vështirë e të komplikuar. Në këtë betejë të pamundur ku nuk mund të fitonin të dyjat, Ardita zgjodhi jetën e Gretës, për të përmbushur misionin e saj si një nënë, e cila sakrifikoi veten për beben e saj. Me siguri tani Ardita është e lumtur që Nartit dhe Lizës ua bashkoi edhe engjëllin e tretë, Gretën dhe ata i la në duart e bashkëshortit dhe gjithë familjes së saj. Është e vështirë për mua të përmbahem në një moment si ky që kurrë nuk kisha dashur, e për Arditën më së paku. Ardita ishte gëzimi i parë në familjen tonë, ishte gjithmonë e hareshme, e afërt, e këndshme dhe mbi të gjitha shumë e dashur. Do të na mungojë shumë sot e tutje, mirëpo përkushtimi dhe korrektësia e saj neve na bën shumë krenar. Lamtumirë Arditë, engjëlli ynë”, ka thënë axha i Arditës, i cili në emër të familjes falënderoj të gjithë që po e ndajnë këtë dhimbje të madhe me ta dhe po u japin kruajë për ta përballuar sa më lehtë këtë dhimbje, transmeton RTKlive.….
Për më tepër:
BURIMI: RTKlive.com