Në Kamenicë Këshilli i Nxënësve Komunal ka mbajtur takimin e parë pas formimit. Në këtë takim të pranishëm ishin Kryetari i Këshillit, Blend Kastrati, Nënkryetari Amar Krasniqi, anëtare Olta Hyseni dhe Yllza Maliqi, Drejtori i Arsimit, Afrim Dervishi, Koordinatorja e Njësisë Komunale për të Drejtat e Njeriut, Nazmije Demolli-Kastrati, dhe të tjerë.
Kryetari i Këshillit, Blend Kastrati, ka hapur këtë mbledhje tuke u uruar mirëseardhje në këtë takim dhe duke paraqitur agjenden e mbledhjes.
“Ky takim është i pari që po organizojmë pas zgjedhjeve të reja të kryesisë së nxenësve, e cila u mbajt me 8 Nëntor të këtij viti. Qëllimi i themelimit të Këshillit të Nxënësve në nivel komunal dhe kush jemi ne? Këshilli i Nxënësve në nivel komunal u themelua për të përfaqësuar zërin e nxënësve dhe për të avancuar interesat dhe të drejtat e tyre në shkolla dhe komunitet. Qëllimi ynë është të kontribuojmë në përmirësimin e kushteve arsimore dhe sociale, duke mbështetur aktivitete që rrisin cilësinë e mësimit dhe jetën e nxënësve”, ka thënë ai duke theksuar se ky Këshill organizon fushata, aktivitete edukative dhe shërbime mbështetëse për nxënësit, ndërsa githashtu ai tha se ka Këshilli ka bashkëpunime me autoritetet lokale dhe institucionet për të adresuar çështjet që ndikojnë në jetën e nxënësve.
Ai në vazhdim ka prezantuar pikat e rendit të ditës të cilat u miratuan me shumicë votash:
1. Hartimi i Planit Vjetor të Këshillit Komunal të Nxënësve,
2. Diskutime dhe Pyetje për Dreitorin e Dreitorisë së Arsimit,
3. Fushata “16 Ditë Aktivizëm Kundër Dhunës me Bazë Gjinore” – Koordinatore e Njësisë Komunale për të Drejtat e Njeriut, znj. Nazmije Demolli Kastrati,
4. Të ndryshme.
Drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit, Afrim Dervishi, në fjalën e tij tha se së bashku me ky Këshill e ka mundësinë që të ndryshoj shumë çështje në nivelin arsimor, dhe se sipas tij edhe Kryetari çdoherë është i gatshëm të investoj në një arsim sa më cilësor.
“Kam kënaqësinë që jam ne mesin tuaj. Vullneti i Kryetarit është mjaft i madh që arsimin ta dërgojnë përpara. E kemi rritur buxhetin dhe investimet në arsim shumë më shumë sesa në raport me planifikimin. Çdoherë që ka ardhur një investim apo subvencion e kemi shikuar me Kryetarin së pari a ka nevojë në arsim, pastaj kemi vendosur ku. Pra e gjithë kjo ka qenë interesim i kryetarit sepse ai ka qenë i gatshëm që të kryhen shumë punë. Andaj gëzohem që jam sot këtu dhe i pranoj ftesat që janë në interes të nxënësve”, është shprehur Drejtori Dervishi.
Ndërkaq Koordninatorja e Njësisë Komunale për të Drejtat e Njeriut, Nazmije Demolli-Kastrati, në këtë takim foli për fushatën ’16 Ditë Aktivizëm Kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, ku ajo kërkoi nga ky Këshill që të njoftohen të gjithë nxënësit sa më shumë për këtë fushatë. Ndër të tjera ajo u shpërndaru edhe material informuese për parandalimin e kësaj dukurie.
“Dhuna është e pajustifikueshme, pavarësisht rrethanave. Secili prej nesh ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në parandalimin e saj, qoftë përmes edukimit, ndërgjegjësimit apo veprimeve konkrete. Vetëm duke punuar së bashku mund të ndërtojmë një shoqëri të sigurt dhe të drejtë për të gjithë”, ka thënë Koordinatorja Demolli-Kastrati. /2LONLINE/