Mbrëmë me fillim nga ora 19:00 në Sallën e Kuvendit Komunal të Kamenicës është mbajtur dëgjimi publik për prezantimin e punës së realizuar në gjashtëmujorin e dytë të vitit 2024.
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Kadri Rahimaj ka prezantuar në detaje punët e realizuara deri më tani në sektorin e arsimit, infrastrukturës, zhvillimit, bujqësisë, shëndetësisë, kulturës e sportit.
Në arsim është prezantuar pjesa e investimeve në ndërtimin e sallës së sporteve në Kamenicë, çerdhen e re në Roganë, rinovimet e bëra në shkollat “Metush Krasniqi”, “Rexhep Mala” e “Asllan Thaqi”, bursat e ndara për studentë si dhe investimet e bëra nëpër kabinetet e shkollave.
Në pjesën e zhvillimit janë prezantuar investimet që kanë ardhur nga diaspora, përfaqësimi i Komunës së Kamenicës në festivalin botëror të arkitekturës, grantet e ndara për bizneset kamenicase, realizimi i projektit FLOWS në Kamenicë, bashkëpunimi me FES në kuadër të nismës për transport publik, si dhe puna që ka nisur në tashmë Parkun Teknologjik të Komunës së Kamenicës.
Në pjesën e mirëqenies, Kryetari Rahimaj ka prezantuar bashkëpunimin me MPPHI në kuadër të projektit për banim social, ndërtimin e kuzhinës popullore e rinovimin e banesave sociale në bahskëpunim me FKEE.
Në mesin e punëve që janë prezantuar janë edhe ato në pjesën e infrastrukturës, e që janë të shumta, duke treguar në detaje se cilat punë kanë përfunduar dhe cilat do të jenë ato që do të vazhdojnë të realizohen në vitin 2025. Duke filluar nga asfaltimi i rrugëve në brezin kufitar, investimet e bëra në trotuare e shtegje për çiklistë, asfaltimi i rrugëve lokale, investimet në kolektorin e shtratin e lumit në Hogosht, projekti për ridizajnimin e qytetit, si dhe investimet në bashkëpunim me KRU “Hodromorava” në shtrirjen e rrjetit të ujësjellësit nëpër fshatrat e Kamenicës.
Në sektorin e kulturës është prezantuar suksesi i Kamenica Summer Fest si dhe aktivitetet e tjera në kuadër të kësaj drejtorie.
Në sektorin e bujqësisë është prezantuar edhe pjesa e mbështetjes në forma të ndryshme si ndarja e makinerive bujqësore dhe mbështetja e fermerëve edhe me materiale të tjera si plehu artificial e fara e grurit.
Nuk ka munguar as pjesa e prezantimit në sektorin e sportit duke vënë theks të veçantë në investimet e bëra në stadiumin e atletikës si dhe në stadiumin e futbollit të Hogosht.
Në fund Rahimaj ka cekur edhe buxhetin për vitin 2025, duke diktuar edhe një herë rëndësinë e pjesëmarrjes qytetare në jetën institucionale. /2LONLINE/