Në fshatin Stubëll të Epërme dhe Ramnishtë, Komuna e Vitisë ka mbajtur dje diskutimet publike për planifikimin e buxhetit komunal 2018-2020.
Gjatë këtyre takimeve banorët e këtyre lokaliteteve pos që u njohën me draft buxhetin për vitin 2018 ata kanë paraqitur kërkesat dhe nevojat e tyre për investime.
Ibrahim Rama, Drejtor për Ekonomi, Financa dhe Zhvillim gjatë këtyre diskutimeve tha se buxheti komunal është i qytetarëve të kësaj komune andaj ata rregullisht bëjnë planifikimin e buxhetit komunal në bashkëpunim me qytetarët e saj.
“Ky buxhet është i juaji andaj ne si përfaqësues të institucioneve komunale mbesim të përkushtuar që atë të hartojmë bashkërisht me juve duke përcaktuar prioritetet dhe nevojat për investime. Natyrisht se kërkesat tuaj janë më të mëdha sesa mjetet buxhetore që i kemi në dispozicion për këtë çdo lokalitet duhet të caktoj prioritet e tyre”, u shpreh Rama.
Kurse Qahil Sinani, Drejtor i Drejtorisë Komunale të Arsimit pasi që banorët e fshatit Ramnishtë shprehën interesim për hapjen e një klase para fillorë në shkollën e këtij fshati ndër tjerash potencoi se fatkeqësisht ka rënie të numrit të nxënësve dhe shtoj se edhe buxheti i cili ndahet për mësimdhënës është i varur nga numri i nxënësve të cilët vijojnë mësimin.
Megjithatë ai shtoj se komuna e Vitisë do të shikon mundësitë për hapjen e një klase para fillorë në fshatin Ramnishtë. Kurse banorët e këtij lokaliteti ndër tjerash kërkuan që të realizohen disa projekte infrastrukturore si asfaltimin e rrugëve lagjore, ndërtimin e trotuarit në brendësi të fshatit dhe vazhdimin e trotuarit prej shkollës së Ramnishtës deri në fshatin Beguncë pasi një numër i konsiderueshëm i nxënësve të Beguncës vijojnë mësimin në shkollën e Ramnishtës.
Gjithashtu ata kërkuan nga komuna që të shikojnë mundësitë e ndërtimit të një nënkalimi apo mbikalimi dhe atë për sigurinë e këmbësorëve, në veçanti për nxënëseve. Ata patën edhe disa kërkesa të tjera si vendosja e ndriçimit publik deri në shkollën e fshatit, ndërtimin e një fushe sportive për nxënësit e kësaj shkolle si dhe të ndërtohet rruga që lidhë Ramnishtën me fshatin Podgorcë.
Kurse në diskutimin publik në fshatin Stubëll të Epërme, koordinatori i këtij lokaliteti Marjan Ramaj, pasi që hapi diskutimin publik bëri me dije se ky lokalitet ka kërkesa të mëdha por duke i ditur mundësitë buxhetore ka përcaktuar disa prioritete si ndërtimin i një rruge alternative, të hapët një rrugë që lidhë fshatin Stubëll të Epërme me Zhegrën e Gjilanit apo edhe me Maqedoninë.
Kurse vetë banorët kërkuan gjithashtu që të bëhet ndriçimi publik i fshatit prej rrugës kryesore deri në fshat. Gjithashtu ata kërkuan që të gjithë qytetarët të kyçën në rrjetin e kanalizimit por që gjatë dimrit të bëhet mirëmbajtja e rrugëve edhe në brendësi të fshatit.