Pushtimin serb pas Betejës së Kumanovës, Leon Trocki, në Shkup e raporton në opinion përmes gazetës se; u shoqërua me masakra, ndaj popullatës shqiptare krejtësisht të paarmatosur kishte gjenocid masiv, ku sipas shtypit të kohës, gjatë kësaj ofensive humbën jetën rreth 250. 000 (dyqind e pesëdhjetë mijë) shqiptarë në mënyrën më barbare përmes djegies për së gjalli të grave, fëmijëve, pleqve, madje edhe duke u prerë barkun grave shtatzëna me bajonetë, e duke nxjerrë fëmijën dhe duke e ngulit atë në majë të bajonetës.
Shkruan: Sami ARIFI
Gzeta “Kievskaja Mils”, në atë kohë ishte më e madhja dhe më e rëndësishmja që botohej në Kievë në kryeqytetin e Ukrainës, në gjuhën ruse, jashtë kryeqytetit rus, Moskës.
Beteja mjaft e madhe u bë më 23-24 tetor të vitit 1912 në Kumanovë në mes Armatës së Parë serbe prej 126.000 trupash dhe Armatës turke që ishin vendosur në frontin e Vardarit me afro 50.000 luftëtarë, midis të cilëve mbi 10.000 ishin vullnetarë shqiptarë që luftonin kundër ushtrisë serbe. Më 24 tetor ushtria turke u thye përfundimisht në Kumanovë dhe ata (turqit) ishin në largim e sipër, efektivi vullnetar i Gjilanit me luftëtarët e rrethinës së Kumanovës vazhduan luftimet përballë 126.000 trupave serbe, me ç’rast ra heroikisht në betejë i tërë efektivi vullnetar i Gjilanit, i cili kishte mbi 10.000 luftëtarë.
Pas humbjes së Betejës së Kumanovës nga kryengritësit shqiptarë, dhe pushtimi i qytetit të Kumanovës nga ushtria serbe, më 30 tetor të vitit 1912, ajo vazhdon marshimin drejt Shkupit, të cilin e merr pa luftë, ndërsa gjatë udhëtimit për në Shkup ushtria serbe vrau e masakroi pa mëshirë mbi 2 mijë shqiptarë.
Pas rënies së Shkupit, ushtria serbe kapi të gjallë 13 krerë të Kryengritjes Kombëtare Shqiptare. Në rrethinën e Shkupit, derisa kryengritësit shqiptarë po bënin përpjekje mbinjerëzore të rezistencës, duke u përpjekur të pengonin tërheqjen dhe shpërnguljen e popullit shqiptar nga frika e barbarisë serbe, në rrethinën e Shkupit u kap Hasan Prishtina, si dhe kryengritësit e tjerë; Idriz Seferi nga Gjilani, Nexhip Draga nga Mitrovica, Shaban Pasha nga Prishtina, Sejdi Efendiu nga Shkupi, Qemajl Beu nga Shkupi, Rushit Beu nga Dobratini i Prishtinës, Muharrem Efendiu nga Prishtina, Hurshit Omeri nga Prishtina, Xhemajl Beu nga Prishtina, Jashar Pasha nga Peja, Ibrahim Bej Kokola nga Prishtina, Kasum Seferi nga Gjilani si dhe Mustafë Musini nga Stambolli që ishte profesor i Gjimnazit në Shkup.
Që të gjithë të arrestuarit u internuan dhe u izoluan në Kështjellën e Beogradit. Komandanti i Armatës së Tretë serbe, Bozhidar Jankoviq, me qëllim të qetësimit në Kosovën e pushtuar, kërkonte ekzekutimin e këtyre prijësve shqiptarë, nga qeveria serbe, por qeveria serbe për shkak të famës që kishin ata në popull, iu shmang një veprimi të këtillë, ata u liruan nga burgu pas qëndrimit disa mujsh më datën 16 maj të vitit 1913, me kusht “se”, do të bëhen qytetarë lojalë të “Mbretërisë Serbe”. Një numër nga këta kryengritës shqiptarë, pas lirimit nga burgu, në krye me atdhetarin Hasan Prishtina, iu bashkëngjitën qëndresës shqiptare deri në vdekje.
Trocki konkludoi se: serbët në të ashtuquajturën “Serbi e Vjetër”, në përpjekjet e tyre kombëtare për të përmirësuar shifrat në statistikën etnografike, të cilat nuk iu konvenojnë, i kanë hyrë thjesht një shfarosje sistematike të popullatës shqiptare myslimane, po edhe të tjerëve me përkatësi jo ortodokse, Serbia ishte bërë gati t’i befasonte Fuqitë e Mëdha me ripushtime nga ana e saj, që të merrte sa më shumë territore shqiptare, aty në vjeshtën e vitit 1913, duke imponuar ajo (Serbia) në këtë mënyrë një korrigjim të kufijve nga ana e saj, që kishte propozuar më parë. Derisa serbët marshonin në thellësi të trojeve shqiptare, pati një revoltë të përgjithshme të popullsisë vendore kundër mizorive të kryera nga ushtarët serbë, që përparonin në pushtimin e trojeve shqiptare.
Në një letër drejtuar një shokut të tij, një ushtar i ri serb i përzier në këto krime, shkruante për mizoritë dhe çfarë po ndodhte në të vërtetë. “Unë mund të them se Luma, një krahinë shqiptare përgjatë lumit dhe në të njejtin emër, nuk ekziston më. Aty ka vetëm kufoma, plehra dhe hi, ka fshatra me 150-200 shtëpi, ku nuk ka mbetur asnjë njeri, asnjë për be. Ne i bëmë tok trupat e tyre nga 40-50 dhe pastaj i grimë me bajoneta deri tek personi i fundit, ndërsa plaçkitje bëhet kudo. Oficerët serbë u thonë ushtarëve të shkojnë në Prizren dhe të shesin sendet e vjedhura”…