Ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, i cili po qëndron sot në Podgoricë me ftesë ministrit për Transport dhe Çështje Detare të Malit të Zi, Osman Nurkovic, nënshkroi Marrëveshjen Bilaterale për Transport Ndërkombëtar të Mallrave dhe Njerëzve, ndërmjet Kosvës dhe Malit të Zi. Të dy ministrat janë dakorduar që së shpejti të hiqen edhe sigurimet kufitare të autopërgjegjësisë mes dy vendeve, në mënyrë që qytetarët e të dyja vendeve ta kenë më të lehtë dhe më të shpejtë qarkullimin në kufi.
Ministri Pal Lekaj, lidhur me nënshkrimin e kësaj marrëveshje dhe arritjes së dakordancës për heqjen e sigurimeve kufitare të autopërgjegjësisë ndërmjet dy vendeve tona mike, ka shprehur këtë qëndrim:
“TUNELI, HEKURUDHAT, TAKSA E AUTOPERGJEGJËSISË DHE MARRVESHJA PËR TRANSPORT NDËRKOMBËTARË – VIZITA NË MAL TË ZI
Sot gjatë vizitës zyrtare në Shtetin e Malit të Zi dhe takimit me homologun, Ministrin, Osman Nurkoviç, nënshkruam marrëveshjen për Transport Ndërkombëtarë të Mallrave dhe Njerëzve.
Me Ministrin Nurkovic, pas diskutimeve për zhvillimet e përgjithshme në të dy vendet tona, me theks të veçantë për sa i përket ministrive që udhëheqim, diskutuam edhe për të ardhmen e projektit të tunelit, që do t’i lidhë Pejën me Rozhajen (i gjatë 7 kilometra) dhe lidhjes përmes Hekurudhave që është një investim kapital, investime këto që sjellin përafrim e integrim të dy shteteve tona në korridore të rëndësishme të transportit ndërkombëtarë. Ne presim që shumë shpejt të dalim me rezultate konkrete nga ekipet tona tashmë të emëruara, për sa i përket këtyre projekteve.
Marrëveshja e cila u konkretizuar sot me vendosjen e nënshkrimeve bashkë me homologun Nurkovic, do të lehtësojë, pajisjen me leje përkatëse, do të kemi lëvizje me të lirë të transportueseve te të dy vendeve tona, por edhe me vendet e treta, duke i përdorur Kosovën dhe Malin e Zi si vende transit.
Nuk mbeti anash, diskutimi dhe dakordimi për largimin e barrierave administrative, siç është taksa për autopërgjegjësinë, taksë kjo e imponuar nga ana e Malit të Zi. Për modalitetet e marrëveshjes, ju mbetet që ministritë e linjës të gjejnë modalitetet e duhura që kjo taks të hiqet sa ma parë”, është shprehur ministri Pal Lekaj.