Kjo ishte një tragjedi, meqë në mbulesën e komisionit mikst, mijëra e mijëra shqiptarë po shpërnguleshin me dhunë për në Anadoll. Në verë të vitit 1924 u duk qartë se për popullatën shqiptare të Çamërisë po krijohet një gjendje tepër e rëndë. Nga vatrat e tyre shekullore dëbimi i tyre po merrte përmasa masive. Prandaj, qeveria shqiptare nuk mund të rrinte indiferente, aq më tepër që tragjedia çame kishte një jehonë gjithnjë më të madhe në gjithë opinionin e vendit:
Shkruan: Sami ARIFI
Nga prefekturat e nënprefekturat, sidomos të Jugut, vinin vazhdimisht letra e raporte që bënin fjalë për keqtrajtimin që pësonin shqiptarët në Greqi me qëllim që të shtrëngoheshin të shkonin në Turqi. Duke ndjekur sugjerimet e palës greke, sigurisht, “komisioni pyeti vetëm disa krerë fetarë, të cilët të korruptuar e të frikësuar me lloj-lloj mënyrash, duke u deklaruar në favor të shkëmbimit, duke pretenduar se banorët e krahinës së Çamërisë ishin me origjinë turke”.
Opinioni në Shqipëri ishte tepër i ndjeshëm kundër padrejtësive që u bëheshin vëllezërve të një gjaku në anën tjetër të kufirit. Duke interpretuar indinjatën e përgjithshme, shtypi i vendit kërkonte që refugjatët që do të vinin në Shqipëri të zinin vatrat dhe trojet e popullsisë grekofone të prefekturës së Gjirokastrës, mirëpo me këtë qeveria tërhiqte vërejtjen mbi rreziqet që përmbante një zgjidhje e tillë.
Qeveria shqiptare përfundonte duke i bërë thirrje Lidhjes së Kombeve që të ndryshonte pran komisionit mikst me qëllim që ky “të përjashtonte myslimanët shqiptarë nga shkëmbimi greko-turk”. Përçapja nuk pat ndonjë efekt konkret, po të mos llogaritet përgjigjja ekuivoke e sekretarit Drumond se çështja ishte kaluar në këshillin e Lidhjes, i cili kishte udhëzuar komisionin dhe nënkomisionet e shkëmbimit që të merrnin parasysh “kriteret e gjuhës”, por edhe atë “të ndërgjegjes kombëtare”.
Shtypi shqiptar në prag të hapjes së Asamblesë në Gjenevë botonte fakte të reja që tregonin dhunën e popullsisë shqiptare të Çamërisë. Gazeta “Bashkimi “ njoftonte pikërisht se ato ditë, në shtator, ishin “futur në shkëmbim afro 10 mijë shqiptarë pa bërë asnjë hetim mbi origjinën e tyre”.
Pasojat e kësaj praktike të paligjshme theksonte gazeta,-kishin filluar të ndiheshin tani edhe në Shqipëri sepse një numër gjithnjë më i madh çamësh, për të mos shkuar në Anadoll, futeshin në territor shqiptar. Madje shumë familje që ishin dërguar me forcë në Stamboll kërkonin ndihmën e qeverisë shqiptare për t’u vendosur në Shqipëri.
LEXO EDHE: Marrëveshja greko-turke dhe fati tragjik i çamëve!
Fan Noli më 29 shtator të vitit 1924, mori fjalën në Asamblenë e V-të të Lidhjes së Kombeve, pra, në seancën e këshillit të Lidhjes për të denoncuar me forcë veprimet krejt të paligjshme të Greqisë.
Nga këto paragrafë të nxjerra nga raporti i komisionit greko-turk, Noli nuk e kishte vështir të dilte në përfundim se “shumica e shqiptarëve mysliman të Greqisë janë përfshirë në shkëmbim”, sepse,-theksoi ai,- “është një e vërtetë palisiane (palisiane-dmth. e vërtetë që bie në sy vetë, që duket sheshit) se myslimanët e Epirit nuk janë tjetër veçse shqiptarë”. Kështu Noli kritikoi veprën e komisionit, i cili, duke u mbuluar, gjëja, pas disa “kritereve bazë”, përfundoi në shtrembërimin e vullnetit të popullsisë shqiptare të Çamërisë dhe në dëbimin e saj me forcë.
Prandaj këtë qeveria e Athinës mund ta bëj fare lehtë “duke lënë jashtë shkëmbimit të popullatës gjithë Epirin… me përjashtim të Janinës dhe Prevezës ku kishte edhe disa myslimanë jo shqiptarë”. Dhe së fundi Noli përfundonte se Greqisë nuk i kërkohej më shumë se sa të mbante fjalën që vetë delegati i Greqisë, Kaklamanos, kishte shprehur zyrtarisht një vit e gjysmë më parë në janar 1923 që në çastin e lidhjes së marrëveshjes greko-turke mbi shkëmbimin e popullsisë.
Në përgjigje të kësaj, përfaqësuesi i Greqisë, Politis, mbajti një fjalim të gjatë. Ai nuk pranoi të diskutonte për thelbin e çështjes, por u kap vetëm pas disa anëve juridike formale për të provuar se ankesa e qeverisë shqiptare ishte një ndërhyrje në punët e brendshme të Greqisë.
Përfaqësuesi i Greqisë, Politis, tha se qeveria e tij mund t’i jepte llogari eventualisht qeverisë turke, me të cilën kishte lidhur një marrëveshje, ajo mund t’i përgjigjet Lidhjes së Kombeve, e cila kishte marrë përsipër rolin e mbikëqyrjes, ajo mund të pranonte të dëgjonte edhe ankesat e shqiptarëve, të cilëve u kishte dhënë fjalën se nuk do të përfshiheshin në shkëmbim (fjalë me gojë,-shtoi Politis,-por jo me shkrim), kurse sipas tij qeveria shqiptare këtu nuk hynte fare, sepse nuk ishte palë.
Noli duke marrë fjalën për së dyti, ai konstatoi se përfaqësuesi i Greqisë jo vetëm që nuk e mohoi, por e justifikoi përfshirjen e shqiptarëve në shkëmbimin e popullsisë. Ai hodhi poshtë gjithashtu akuzën për ndërhyrje në punët e brendshme të Greqisë:
Qeveria shqiptare nuk bënte gjë tjetër veçse i drejtohej Lidhjes së Kombeve për të ndërmjetësuar për zgjidhjen e një mosmarrëveshje që kishte lidhur me shkeljen e të drejtave të popullsisë shqiptare të Çamërisë.
Raportuesi i ngarkuar nga Këshilli i Lidhjes, spanjolli De Leon, paraqiti një ekspoze të pikëpamjeve të qeverisë shqiptare dhe asaj greke, si dhe ecurisë së çështjes që prej përfundimit të marrëveshjes së Lozanës në janar të vitit 1923. Konkluzioni kryesor që dilte nga arsyetimi juridik anonte nga teza e qeverisë së Athinës përderisa ia rezervonte Këshillit të Lidhjes së Kombeve të drejtën e mbikëqyrjes mbi zbatimin e Marrëveshjes së Lozanës në përputhje me Traktatin e Minoriteteve.
Fjalët e këmbyera të përfaqësuesve shqiptar përpara Këshillit të Lidhjes nuk shërbyen fare në zgjidhjen e çështjes çame, as për marrëdhënie midis dy qeverive. Një sesion i ri i Këshillit të Lidhjes, i mbajtur në Bruksel në fund të tetorit tregoi qartë jo vetëm se drama çame vazhdonte, por edhe se Organizata e Gjenevës ishte gati t’u jepte dorë autoriteteve greke për të mbuluar masat shtrënguese për dëbimin e popullsisë shqiptare nga trojet e veta shekullore.
Nëpërmjet raportuesit të Këshillit të Lidhjes, De Leon, jo vetëm që nuk bëri asgjë vërejtje pas diskutimeve të frikshme për shpërnguljen e 1.500 shqiptarëve, por edhe lavdëroi “mënyrën skrupuloze” me të cilën qeveria greke po përmbushte angazhimin që kishte marrë kundrejt “Këshillit” në mbledhjen e mëparshme. Pra, nga kjo çështje e padrejtë ndaj çamëve ishte shkak i acarimit të marrëdhënieve greko-shqiptare.
Nga përfaqësuesi spanjoll, De Leon, i cili propozoi që kontrolli mbi shkëmbimin e shqiptarëve t’i lihej anëtarit asnjanës të komisionit mikst turko-grek. Në të vërtetë kjo nuk sillte asgjë të re, nga se prania e anëtarit “asnjanës” në komision nuk e kishte penguar as komisionin grek, as atë turk të merreshin vesh për t’i përfshirë myslimanët shqiptarë të Çamërisë në shkëmbimin e popullsive.
Këto veprime të detajuara delegacioni shqiptar në Gjenevë, duke e shprehur çështjen para opinionit publik ndërkombëtar e kufizoi sado pak Athinën në lirinë e veprimeve për të realizuar gjithë programin e saj fillestar për të shpërngulur mundësisht gjithë popullsinë shqiptare myslimane që ndodhej brenda kufijve të Greqisë.
Traktati i Lozanës së vitit 1923 iu dha grekëve mundësinë për t’i realizuar objektivat që i kishin dhënë vetes me shkëmbimin e popullsive; të largonin pjesën më të rëndësishme të popullsisë shqiptare kompakte të Çamërisë për të siguruar “homogjenitetin e tyre etnik”.
Me llogaritjen e bilancit përfundimtar u vlerësua se gjysmë milioni vetë qenë ata që hynë në sferën e veprimit të marrëveshjes greko-turke mbi shkëmbimin e detyrueshëm të popullsive. Nga 384.000 (treqind e tetëdhjetë e katër mijë) qenë “myslimanë të Epirit të Maqedonisë, shqiptarë”, që u detyruan të merrnin rrugën e Turqisë, kurse grekët e Anadollit që u kthyen në atdheun e tyre në bazë të kësaj marrëveshje, 150.000 (njëqind e pesëdhjetë mijë).
Pra, s’ishte vështir të kuptohet se midis “myslimanëve të Epirit” ishin me dhjetëra e mijëra me shumicë shqiptarë të Çamërisë. Kjo kohë i përket shpërndarjes së pjesës kryesore të popullsisë shqiptare që u la brenda kufijve të Greqisë në bazë të vendimeve të vitit 1913. Për këto tragjedi të vërteta që pësuan shqiptarët e Greqisë, nuk bëhej fjalë nga askush.