Gjergj Kastrioti – Skënderbeu simbol kombëtar në Rilindjen Shqiptare

Gjergj Kastrioti – Skënderbeu simbol kombëtar në Rilindjen Shqiptare

Për të luftuar përçarjet fetare, krahinorizmin feudal, osmanizmin, pansllavizmin dhe grekomaninë, Rilindësit filluan të propagandojnë luftën 25 vjeçare të Skënderbeut për të ndezur zemrat e shqiptarëve për të synuar krenarinë kombëtare dhe për të siguruar bashkimin politik të shqiptarëve.

Nga: Naim MUSLIU

Në rrethana të luftës ideologjike antishqiptare Rilindësit filluan përgatitjet ideologjike në të kaluarën historike të saj. Rilindja pikënisje të ideologjisë së saj e kishte duke filluar mbi origjinë pellazgjike të popullit shqiptar si dhe duke i referuar epokës së Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

Deri sa shtetet fqinje ishin rrugës së formimit të shtetet e tyre të pavarura apo kishin formuar shtetin e tyre duke e përdorën historinë. Kështu borgjezia serbe pikënisje kishte Perandorinë e Stefan Dushanit të shek. XIV, kurse ajo greke pretendonte për Perandorinë Bizantine si pasardhëse të saj e në anën tjetër borgjezia bullgare kumtonte në atë të Perandorisë Mesjetare të Borisit dhe Simeonit.

Fqinjët e shqiptarëve pretendonin se janë ligjërisht trashëguese të shteteve të tyre mesjetare. Në këtë mënyrë pretendonin në të drejtën historike që shtetet e tyre të shtriheshin në territoret e Perandorive Mesjetare. Kështu u krijuan ideologjitë ekspansioniste që u bënë shkak i armiqësive dhe luftërave midis shteteve ballkanike.

Në anën tjetër ideologjia e Rilindësve shqiptar dallonte nga ato të fqinjëve. Shqiptarët nuk patën perandori mesjetare për t’ju referuar por rilindësit shkruanin e proklamonin për epokën e Skënderbeut dhe shtetin të Arbrit të shek. XV.

Epoka e Skënderbeut mund t’i shërbej Rilindjes Kombëtare Shqiptare për të ngritur krenarinë kombëtare dhe besimin në forcat e veta dhe për të zgjidhur me sukses çështjet që shtronte para vetes Rilindja siç ishte bashkimi i popullit shqiptar në një udhëheqës të vetëm në luftë për çlirimin kombëtar dhe krijimi i një shteti shqiptar. Për të arritur këtë bashkim, Skënderbeu shihej si shembull më i mirë për të arritur këtë qellim tek populli shqiptar.

Po ashtu përmes kësaj dëshironin të ju kundërvihen pohimeve që mohonin historinë shqiptare duke treguar se sikur popujt tjerë të Evropës edhe shqiptarët kishin shtetin e tyre të formuar në shek. XV dhe kishin dhënë ndihmë në mbrojtjen e qytetërimit evropian.

Në të gjitha shkrimet që kanë bërë Rilindësit për epokën e Skënderbeut janë ndalur tek Kuvendi i Lezhës dhe Besëlidhja shqiptare. Në shkrimet e tyre bënin krahasime ndërmjet epokës së Skënderbeut që shquhej për trimëri dhe mençuri, ku shteti i Arbrit lulëzonte dhe ishte i bashkuar dhe gjendjes së mjerë të arbërve apo shqiptarëve pas vdekjes së tij që ishin të copëtuar dhe të përçarë.

Pothuajse të gjithë Rilindësit, kush më shumë e kush pak, kishin shkruar për Epokën e Skënderbeut. Këto shkrime gjendeshin sidomos tek rilindësit si Jeronim De Rada, Naim Frashëri, Anton Zako Çajupi e Skiroi, Zef Sermbe, Sami Frashëri e shumë rilindës të tjerë..

Shpërfaqja e figurës së Skënderbeut nga Rilindësit i shërbente atyre që të realizonin detyrën kryesore, atë të çlirimit të vendit nga pushtuesit. Po ashtu në periudhën e Rilindjes figura e Skënderbeut u jepte shqiptarëve dritë, rrugën e shpëtimit dhe rrugën e bashkimit të shqiptarëve kundër të huajve dhe shërbëtorëve të tyre.

Ndikimi më i madh i figurës së Skënderbeut ishte tek arbëreshët të cilët jetuan në vend të huaj ku i ruajtën brez pas brezi karakteristikat kombëtare. Figurën e Skënderbeut e pasqyroi Jeronim De Rada në veprat “Histori të Shqipërisë”, “Serafina Topia” e “Skënderbeu i pafan”. Jeronim De Rada figurën e Skënderbeut e paraqiti në funksion idealeve atdhetare dhe në kuadër të ideve demokratike, ku Skënderbeun e paraqiste si udhëheqës të urtë e të drejtë.

Jeronim De Rada paraqiti epopenë e popullit arbëror të shek. XV, ku në qendër të saj paraqiti Skënderbeun si simbol të lirisë e të shpirtit luftarak e të panënshtruar të popullit arbëror. Kurse Thimi Mitko në një kundërpërgjigje ndaj historianit grek Panajot Aravantinoi, ia kujtoi atij kohën kur populli shqiptar udhëhiqej nga Skënderbeu.

Në anën tjetër edhe Konstandin Kristoforidhi shkruante për Skënderbeun në tregimin e shkurtër “Gjahu i malësorëve”. Ku sipas tregimit Gjahtarët e pyesin Mark Shalë Gjatin se çfarë kënge të këndojnë dhe ai i rekomandon të këndojnë për Skënderbeun.

Poeti arbresh Gavril Dara në parathënien e veprës “Kënga e Sprapsme e Balës” theksonte se nga bashkimi i shenjtë lindi fuqia, që për 25 vjet theu forcën osmane. Kurse Zefë Serembe e krahasonte komandantin e forcave vullnetare italiane për bashkimin e Italisë Garibaldin me Skënderbeun. Po ashtu Zefë Serembe shkruante për Skënderbeun për të pohuar idenë e vazhdimësisë së traditave heroike të shqiptarëve.

Elena Gjika në gazetën “Indipedance belge” në shtator të vitit 1866 shkruante, përveç tjerash, se osmanët dridhen para këmbëve të shqiptarëve, ku kjo trimëri ka mbetur që nga kohët e Skënderbeut. Edhe në shkrimet e Dhimitër Kambarës zë vend edhe Epopeja e Skënderbeut. Pos tjerash Dhimitër Kambara e falënderon për punën që bënte Dora D’Istria (Elena Gjika), ku thotë se përmes shkrimeve të saj nxori në pah jetën dhe veprën e Skënderbeut para Evropës, ku sipas tij Evropa në një padrejtësi jo të zakonshme, veprimet e shqiptarëve i kalon në heshtje.

Të frymëzuar nga shkrimet e Dora D’Istrisë, Jeronim De Rada e boton edhe gazetën me emrin “Flamuri i Skënderbeut”. Dora D’Istria për këtë gazetë thoshte se mbanë me krenari emrin e Skënderbeut dhe se do të bëhet tribunë e luftës së popullit shqiptar dhe se do ta rris krenarinë kombëtare.

Edhe Pashko Vasa në veprat e tij me karakter politik e historik e mbrojti popullin shqiptar. Madje në veprën “E vërteta mbi Shqipërinë dhe Shqiptarët” shkruante se Skënderbeu arriti të çliroj Krujën dhe territorin e stërgjyshërve të tij nga osmanët. Kurse në veprën “Shqypnia e shqyptarit” merret edhe me Epopenë e Skënderbeut. Pashko Vasa e sjell figurën e Skënderbeut si udhëheqës shpirtëror duke e idealizuar figurën e tij si trim të pashoq, të mençur e shpirtmadh, shembull i përsosur për njeriun shqiptar që i duhet Shqipërisë.

Kurse Naim Frashëri në poemën “Historia e Skënderbeut” pohonte se Shqipëria prej se u krijua nga Zoti ka nxjerr burra të mençur si Aleksandri i Madh që i mundi persët, si Pirroja që mundi romakët e duke vazhduar traditën tek mbretëria e Krujës siç ai e quante. Po ashtu Naim Frashëri zgjodhi epokën e Skënderbeut si shembull më të ndritur të luftës dhe fitoreve ndaj Perandorisë Osmane. Ai Skënderbeun e krahasonte me Pirron si trim të fuqishëm dhe i matur në luftë.

Po ashtu Naim Frashëri u ndal edhe tek ndihma e shqiptarëve që i dhanë Perandorisë Osmane duke u ndal tek Bushatlinjtë e Shkodrës dhe Ali Pash Tepelena, ku sipas tij e mbajtën gjallë Portën. Kurse ai thekson se shtetin grek e themeluan arvanitasit dhe shqiptarët nga Shqipëria e Jugut. E në anën tjetër shqiptarët që u larguan nga Shqipëria si Mehmet Ali Pasha që e themeloi Egjiptin modern, kurse tjerë shqiptar luftuan për bashkimin e Italisë e madje ranë në luftë edhe për Perandorinë Osmane.

Në këtë rast Naim Frashëri nuk është kundër ndihmës për të tjerët por çdo gjë duhet bërë në kohën e duhur. Ai thekson se fillimisht shqiptarët duhet kujdesen për vete. Madje në emër të Skënderbeut bënë thirrje që shqiptarëve të mos mundohen për botën por ta braktisin atë dhe të bashkohen që ta bëjnë Shqipërinë, ashtu të fuqishme si shtetet tjera fqinje.

Naim Frashëri po ashtu i qorton shqiptarët duke thënë se Zoti kombet i ka ndarë në gjuhë të vetë por i ka dhënë secilit sy për të parë e mendje për të njohur, andaj sipas tij Zoti nuk thotë se ta lësh vëllanë me një gjuhë e të bësh një vëlla me një gjuhë e kulturë tjetër siç po bëjnë shqiptarët. Naim Frashëri jep edhe porosinë që shqiptarët të punojnë për Shqipërinë.

Gjithashtu thotë se shpirti i Skënderbeut i porositë shqiptarët se vetëm të bashkuar bëhet Shqipëria. Naim Frashëri përmes Epopesë së Skënderbeut dëshironte të rritej krenaria kombëtare dhe besimi në forcat e veta. Ai theksonte se shqiptari gjithmonë e ka mbrojtur vetëqenien dhe lirinë me armë në dorë si nga romakët ashtu edhe nga sllavët e venecianët. Në këtë mënyrë Naim Frashëri synonte të zgjonte vetëdijen kombëtare për tu bërë ballë mësymjeve aneksioniste të qarqeve shoviniste të shteteve fqinje të Shqipërisë.

Edhe Sami Frashëri evokoi epopenë e Skënderbeut në veprën e tij “Shqipëria çka qenë, ç’është e çdo të bëhet” duke theksuar se e vlerësonte mbretërinë shqiptare të shekullit XV të udhëhequr nga një mbret i zot e trim si Skënderbeu. Madje Sami Frashëri aspironte të krijonte një shtet shqiptar si të Skënderbeut.

Në projektin e tij për shtetin shqiptar e parashihte që kryeqyteti i saj të quhej Skënderbegas. Sami Frashëri po ashtu kritikonte ata shqiptar që nuk dinë ta çmojnë kombin e gjuhën e tyre dhe thoshte se sa turp i madh kur një shqiptar në trupin e tij rrjedh gjaku i Skënderbeut dhe i shokëve të tij, ku e poshtëron kombin dhe gjuhën e tij, kurse e nderon një gjuhë të huaj.

Kështu nga gjitha shkrimet e Rilindësve nga vitet e 30 të shek. XIX del se Skënderbeu u bë simbol i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, ku nuk ka rilindës që nuk ka shkruar për figurën e Skënderbeut deri në ditën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë më 28 nëntor 1912 por edhe në periudhat tjera historike deri më sot.

/Kumtesë e prezantuar në Tryezën Shkencore kushtuar Gjergj Kastriotit – Skënderbeut, e organizuar në kuadër të manifestimit kulturor mbarëkombëtar “Flaka e Janarit 2018”/

KOMENTE