Kosova me 26 mars do të luaj kundër Maqedonisë se Veriut në stadiumin “Filipi II” të Shkupit në ndeshjen gjysmëfinale të Play-offit të Ligës së Kombeve.
“Dardanëve” pritet të iu ndahen rreth 3000 bileta për këtë ndeshje, por Kosova do të ketë mbështetje të madhe edhe nga shqiptarët e Maqedonisë.
“Ballistët” e Tetovës janë tifogrupi që përkrahin Shkëndijën ndërsa “Shvercerat” janë tifozët e skuadrës së Shkupit.
Dy tifozërite kanë emër të madh në Maqedoni dhe jo vetëm për organizimet e tyre dhe shpirtin nacionalist që kanë brenda vetes.
Indeksonline ka kontaktuar me drejtuesit e të dy tifozërive për të kuptuar nëse tifozët shqiptar të Maqedonisë do të organizohen për të ndjekur mbështetur Kosovën në këtë ndeshje historike.
“Shvercerat” kanë qenë të prerë në këtë drejtim, duke thënë se ata njohin vetëm një Kombëtare, atë të Shqipërisë.
“Ne kemi vetëm një Kombëtare, dhe ajo është Shqipëria. Nuk do të ketë organizim për këtë ndeshje“, ka thënë Arditi, udhëheqësi i tifozëve shkupjan.
Ndërsa në anën tjetër, “Ballistët” ende nuk kanë vendosur nëse do të shkojnë në mënyrë të organizuar në këtë sfidë edhe pse do të përkrahin Kosovën.
“Nuk kemi vendosur ende, do të njoftojmë nëse vendosim të organizojmë“, ka thënë Arbin Hajrullahi, udhëheqës i tetovarëve.
Federata e Futbollit të Maqedonisë, që udhëhiqet nga shqiptari Muhamed Sejdini ka thënë se do të ketë kontroll të veçantë të shitjes së biletave për këtë ndeshje.