/2L ONLINE/ – Nënkryetari i Komunës së Gjilanit Rexhep Kadriu, i shoqëruar nga zyrtari për Integrime Evropiane, Burim Elezi, kanë pranuar sot një pyetësor për planin e veprimit komunal për Marrëveshjen e Stabilizim-Asocimit (MSA) nga përfaqësuesit e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Rozafa Ukëimeraj – drejtoreshë e Departamentit për Integrime Europiane dhe Yll Valla – zyrtar në këtë departament.
Me këtë rast, nënkryetari Rexhep Kadriu i ka falënderuar përfaqësuesit e MAPL-së për vizitën, ndërsa i ka garantuar se Komuna do të ketë përkushtim maksimal sa i përket planit të veprimit komunal për MSA-në, që është tejet e rëndësishme për liberalizimin e vizave.
Burim Elezi, zyrtar për Integrime Evropiane në Komunën e Gjilanit u zotua se edhe këtë vit sikurse në vitin e kaluar, Komuna do të raportoj mbi baza të rregullta dhe me kohë për të gjitha të arriturat në këtë fushë, derisa ka potencuar se krahasuar me komunat tjera, Gjilani qëndron lartë sa i përket plotësimit të standardeve të kërkuara nga Komisioni Europian.
Nga ana e saj, znj. Rozafa Ukimeraj ka konfirmuar se Gjilani qëndron shumë mirë në këtë aspektin e përmbushjes së kushteve të kërkuara për MSA, duke thënë se krejt kjo është arritur në saje të një përvoje të madhe të kryetarit Lutfi Haziri në shumë nivele udhëheqëse, e posaçërisht si kryetar i Komisionit për Integrime Evropiane në Kuvendin e Republikës së Kosovës. /2L ONLINE/