Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal, në përputhje me mandatin e saj ligjor, pas monitorimit të mbledhjes së Kuvendit të Komunave Zveqan, Mitrovice Veriore, Zubin Potok dhe Leposaviq, dhe pas analizimit te draft statuteve nga njësitë përkatëse ligjore nëpërmjet një shkrese ligjore të dërguar sot tek Komunat Leposaviq dhe Zvecan ka kërkuar rishqyrtimin e statuteve në mënyrë që të bëhen ndryshimet përkatëse dhe të plotësohen kërkesat ligjore të parapara me ligjet e Kosovës. Për këtë qëllim, MAPL ka dhënë afatin ligjor prej 30 ditëve në mënyrë që organet e komunës të kenë mundësi të bëjnë ndryshimet e nevojshme, transmeton RTK.
Po ashtu, ka kërkuar nga Komuna e Mitrovicës Veriore që të procedojnë në MAPL draft statutin final të miratuar me ndryshimet e aprovuara për vlerësim të ligjshmërisë.
Sa i përket draft statutit të miratuar në Kuvendin Komunal të Zubin Potokut, MAPL është në fazën kryesore të shqyrtimit të ligjshmërisë dhe brenda afatit ligjor, organet e komunës dhe publiku do të informohet lidhur me rezultatet finale.
MAPL pret nga organet e komunës që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për harmonizimin e Statutit me legjislacionin në fuqi dhe kur kjo të bëhet, do të bëj konfirmimin e ligjshmërisë në mënyrë që statuti të bëhet i plotfuqishëm dhe të mund të publikohet në faqen zyrtare, ashtu siç parashihet me rregullat për procedurën e hartimit dhe publikimin e akteve të Komunave.