Maliqi: Komuna e Gjilanit është shpërblyer për performancë të mirë financiare

Maliqi: Komuna e Gjilanit është shpërblyer për performancë të mirë financiare

Kuvendi Komunal i Gjilanit, në mbledhjen e radhës, të kryesuar nga Shpresa Kurteshi – Emini, ka shqyrtuar dhe miratuar raportin financiar janar-dhjetor 2018, vendimin për bartjen e mjeteve financiare nga të hyrat vetanake të pashpenzuara të vitit fiskal 2017 dhe 2018, në vitin fiskal 2019, raportin financiar të manifestimit “Flaka e Janarit” 2019.

Po ashtu edhe rregulloren për themelimin dhe strukturimin e asamblesë komunale të fëmijëve, vendimin për emërimin e Komisionit komunal të aksionareve në “Ecohigjiena”, vendimin për emërimin e Komisionit për dhënien e titujve të nderit, çmimeve, mirënjohjeve dhe shpërblimeve, vendimin për emërimin e Komisionit të përhershëm për përcaktimin e lokacioneve dhe hapësirave publike për vendosjen e përmendoreve, shtatoreve, busteve dhe simboleve si dhe planin komunal të veprimit për efiçiencën e energjisë 2019-2021.

Fillimisht është zhvilluar debati i rregullt jashtë rendit të ditës, ku janë përfshirë Avdyl Aliu, Nevzad Isufi, Riza Abdyli, Mimoza Kadriu, Festa Shabani, Arta Haziri, Bujar Nevzati, Xhelal Hajrullahu, Shefik Surdulli, Burim Berisha, Arbëreshë Hyseni, Gentrit Murseli, Nehat Osmani, Arianit Sadiku, Enver Hajrullahu dhe të tjerë, të cilët kanë bërë pyetje për rreth-rrotullimin në afërsi të Livoçit, statusin e punëtorëve ndihmës në shkolla, kanalizimin në lagjen e Gllamës, protestat e punëtorëve të tregut, emërtimin e QMF në Zhegër, ndotjen e ambientit, shitjen e duhanit personave të mitur, uzurpimet në Zhegër, parkingjet, evitimin e pikave kyçe që përbëjnë rrezik për trafikun dhe të tjera.

Sa i përket tregut të gjelbër dhe protestës së tregtarëve, Abër Ismajli, nënkryetar i Komunës, ka thënë se projekti do të realizohet në faza dhe nuk do të pengohet veprimtaria e tregtarëve.

“Nuk ka vend për shqetësim, sepse është një projekt modern që bëhet për tregtarët dhe qytetarët e komunës së Gjilanit, i cili do të fillojë të hënën”, ka thënë Ismajli.

Ismajli ka thënë se mund të ketë ndonjë pakënaqësi të vogël individuale, por ato do të jenë të përkohshme, derisa ka kërkuar nga tregtarët që të jenë vigjilent dhe të mos manipulohen, sepse ky projekt po bëhet për kushte më të mira.

Kurse sa i përket çështjes së kompensimit të punëtorëve teknikë në shkolla, Ismajli ka thënë se jemi në proces të zgjidhjes së këtij problemi, i cili ka ndodhur pa fajin tonë, për shkak të ankesës së kompanive në OSHP.

Në pyetjet tjera, përgjigje kanë dhënë drejtorët Naser Korça (DSHP), Bekim Bajrami (DUMM), Nevzad Rushiti (DI), Shpresa Hajdari (DKRS), Zijadin Maliqi (DBF) dhe të tjerë.

Sa i përket buxhetit të vitit 2018, Zijadin Maliqi, drejtor për Financa, ka thënë se plani është realizuar për rreth 98 për qind. Komuna e Gjilanit ka planifikuar një shumë prej 24.646.974 euro, e cila së bashku me mjetet e bartura nga viti 2017, në shumë prej 1.078.283 euro, financimet nga huamarrjet – 503.927 si dhe participimet dhe donacionet – 888.044 euro, ka arritur shumën 26.511.936 euro.

Në këtë shumë, Komuna e Gjilanit ka marrë pjesë me 4.305.358 euro të hyra vetanake, ndërsa pjesa tjetër është siguruar nga granti qeveritar.

Maliqi ka thënë se raporti pasqyron gjendjen reale të të gjitha lëvizjeve buxhetore gjatë vitit 2018, duke nënvizuar faktin se Komuna e Gjilanit është shpërblye me një grant prej 205 mijë euro nga DEMOS-i për performancë të mirë, ndërkohë që është përgjigjur edhe në pyetjet dhe interesimet konkrete të anëtarëve të Kuvendit, që kryesisht ishin nga opozita.

Opozita (LVV e PDK) pati vërejtje te shpenzimet, duke thënë se ato janë bërë në mënyrë të pakujdesshme.

Ndërkaq, për manifestim kulturor “Flaka e Janarit 2019”, sipas raportit financiar të Drejtorisë së Kulturës, janë shpenzuar 52.578 euro. Shpresa Hajdari (DKRS) tha se me “Flakën…” Gjilani identifikohet si qytet i artit dhe kulturës, ndërsa Shpresa Kurteshi-Emini, kryesuese e Kuvendit Komunal, ka thënë se jemi munduar që “Flaka…” si manifestim i nivelit mbarëkombëtar, të jetë në nivel sa më të lartë organizativ dhe artistik, me dëshirën e vazhdueshme për ta përmirësuar e pasuruar nga viti në vit.

Po ashtu Kuvendi miratoi edhe nismën për emërtimin e Qendrës së Mjekësisë Familjare në Zhegër me emrin Fazli Ramadani.

KOMENTE