(2L ONLINE) – Kjo tokë është e mbushur me mrekullia dhe pasuri natyrore. Prandaj e gjithë ajo lakmi pushtuese nga më të ndryshmet për token tonë, vlerën e së cilës mjerisht ndoshta nuk e kuptuam kurrë, as vete ne, ashtu sa duhet.
Është një burim uji, më mirë të themi krua që gjendet në malet e Zhegocit të Gjilanit, rrugës së vjetër që shpie nga Bresalci nëpër Zhegoc të Epërm, pastaj nga ai i Ulët e deri në Lipjan . Si një margaritar i fshehur mes drunjve të pyllit tërheqë banorët e kësaj ane, por edhe të tjerë që kanë arritur të kuptojnë për të.
Ky burim është pak më ndryshe nga ajo që ne kuptojmë si burim nëntokësorë. Në fakt edhe në këtë krua buron ujë nga nëntoka dhe gurgullon por është i ftohët e jo i ngrohët siç ndodhë me të shumtën e rasteve! Tani, përse ky burim uji është i veçantë dhe për vetitë e tij kuruese mësojmë nga vetë banorët e kësaj ane. Ata thonë se uji i këtij kroi është përdorur nga qytetarë të shumtë për kurimin e syve, reumës si dhe hemorroideve etj.
Ajo që të bënë përshtypje është edhe besimi i banorëve të kësaj ane në magjinë shëruese që ndodhet në këtë krua, përkatësisht në këtë burim uji për të cilin thuhet se e pinë edhe kafshët dhe çdo gjë OK, por interesante është që kur e bëjnë këtë shpezët ngordhin nga po i njëjti! Gjë e cila mbetet për t’u studiuar e vlerësuar.
Ata thonë se përpara, por edhe tani, për çdo Shëngjergj, natën e Shën Gjergjit siç thuhet këndej, janë mbledhur vajza të reja si dhe fëmijë të cilët kanë mbushur ujë në këtë krua me të cilin të nesërmen kanë larë fytyrën. Po ashtu ata atë ditë në drunjtë e vegjël që ndodhen mu aty pranë, përreth kroit, kanë lidhë dhe kanë lënë shenjat e tyre për të mirën dhe shëndetin e tyre si dhe të afërmve të familjes, gjurmët e të cilave veprime i gjënë edhe sot, e të cilat japin një pamje sureale por në të cilën besojnë njerëzit e kësaj ane!!!
/Xhelil ARIFI/ 2L ONLINE/