Pop ikona, Madonna pritet të këndojë dy këngë në Evrovizion që mbahet në Izrael muajin e ardhshëm.
Por, pjesëmarrja në Evrovizion mund të jetë problematike, pasi këngëtarët e tjerë, në mesin e tyre Roger Waters nga Pink Floyd, apeluan për bojkot, për shkak të shkeljes së të drejtave të njeriut ne luften qe Izraeli po e zhvillon me Palestinen.
Vlerësohet se perfomanca e Madonna do të kushtojë 887.000 euro dhe për shpenzimet përkujdeset milioneri kanadez Silvian Adams, i cili viteve të fundit ka financuar eventet dhe koncertet e mëdha.
Ekipi i marrëdhënieve me publikun i Madonnës e konfirmoi lajmin për BBC-në, por organizatorët e Evrovizionit e mohuan.
“Ende nuk është marrë vendimi përfundimtar dhe nuk janë bërë nënshkrimet e kontratës”, thonë organizatorët, sipas të cilëve konfirmimi rreth pjesëmarrjes së Madonna do të bëhet i ditur me kohë. Sipas mediave izraelite, organizatorët janë të shqetësuar rreth pjesëmarrjes së Madonna në koncert.
Është vlerësuar se performanca e saj në Tel Aviv më 18 maj do të përcillet nga më shumë se 180 milionë shikues anembanë botës. Ngjarja u njoftua fillimisht nga nxitësit lokalë të Live Nation Israel, të cilët pretendojnë se performanca do të jetë “historike dhe e pazakontë” në të njëjtën kohë.