Kryetari i Degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës në Gjilan, njëherit nënkryetar në nivel qendror, Lutfi Haziri, ka përcjellë sot mesazhe të fuqishme kundër ish-kandidatit për kryeministër nga PDK-ja, Kadri Veseli.
“Ne efektin e parë e kemi realizu. Në ora nëntë e kemi nënshkru marrëveshjen LDK-AKR, e në ora 11:45 Kadri Veseli ka heqë dorë prej kandidaturës për kryeministër. Pra, për tri orë e kemi rrëzu. Unë po i tregoj atij se neve nuk mundet me na idhtu askush më 11 qershor, por do të festojmë kryelartë fitoren plebishitare”, ka thënë Haziri, në tubimin që LDK e mbajti në Gjilan me strukturat e saj, ku të pranishëm ishin edhe kandidatët për deputet nga radhët e LDK-së nga Gjilani dhe Koalicioni i Besës dhe Shpresës.
Haziri theksoi se “koalicioni rival i yni nëse mendon që korbin e zi me na e shitë për korb t’bardhë, atëherë le ta harrojnë se ajo kohë ka kalu”.
Haziri ka përmendur edhe faktin se pjesa më e madhe e listës së koalicionit kundërshtar nuk mund të marrin viza sepse janë në listë të zezë nga shumë shtete.
“Ata nuk mund ta çojnë vendin drejt zhvillimeve euro-atlantike sepse atyre nuk ia çelë derën askush”, tha Haziri.
Haziri ka lavdëruar kandidatët nga lista e koalicionit LDK-AKR, duke thënë se janë njerëz me kredibilitet të lartë, e me duar të pastra dhe që do ta çojnë Kosovën përpara në të gjitha aspektet.
Tubimin e ka përshëndetur anëtari i kryesisë qendore të LDK-së, Lutfi Zharku, i cili ka uruar përfaqësim sa më të madh të kandidatëve për deputet nga Gjilani në Parlamentin e Kosovës.
Ndërkohë, para të pranishmëve janë paraqitur me fjalët e tyre edhe kandidatët për deputet nga radhët e LDK-së nga Gjilani, Lirije Kajtazi, Imet Rrahmani, Valentina Bunjaku Rexhepi e Isa Agushi.
Kajtazi ka falënderuar simptatizantët e LDK-së për, siç tha, zemrën e madhe e jo me bateria sikur kundërshtarët, përderisa Imet Rrahmani tha LDK, me qeverisjen e mirë ua zuri frymën kundërshtarëve, duke e ndalë korrupsionin e krimin.
Kandidatja Valentina Bunjaku Rexhepi theksoi e bindur se LDK do të triumfojë fuqishëm në zgjedhjet e 11 qershorit, ndërkaq Isa Agushi pohoi se LDK është parti e fjalës dhe e besës, e cila do të sjellë mirëqenie për gjilanasit dhe për të gjithë qytetarët e Republikës.
Në fund të këtij takimi, të pranishmit i kanë përshëndetur edhe kandidatët nga koalicioni: Avdil Halimi, Selvete Shurdhani, Labinotë Demi Murtezi e Ismet Hajdini.