“Nuk merrem me rrenat e rrjeteve sociale”. Kështu është shprehur kreu aktual i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri – Luta, në lidhje me qarkullimin e lajmit se ai do të jetë sërish kandidat për kryetar, në zgjedhjet lokale të Komunës së Gjilanit, përkundër që kishte deklaruar disa herë publikisht se nuk do të kandidojë më.
“Tani është në trend të flitet për zgjedhjet nacionale, e jo për zgjedhje lokale”, ka thënë Haziri, në vend të një përgjigje konkrete se a do të kandidojë apo jo, transmeton 2LONLINE.
Ai kështu i ka ikur përgjigjes të drejtpërdrejtë rreth kësaj çështje, por vetëm ka mohuar se ato që janë shkruar në rrjete sociale, apo në ndonjë medium, të jenë zyrtare.
Përndryshe, nga zyrtarë komunal janë quajtur profile fantome ato në rrjete sociale ku në emër të Lutfi Hazirit, është shkruar se ai do të kandidojë. Për komunën ekziston vetëm një profil zyrtar i Hazirit në Facebook, aty ku informacionet janë të sakta e zyrtare, ndërsa informacionet që mund të hasen në profile tjera me emrin e Hazirit nuk janë, thonë nga zyra për informim.
Ndonëse Haziri mohoi atë që është shkruar në rrjete sociale se ai do të jetë serish kandidatë për kryetar të komunës së Gjilanit, megjithatë ajo që ka ra në sy kësaj here, është fakti se ai më nuk po e ripërsëritë, atë që e kishte thënë disa herë publikisht, se nuk do të kandidojë më.
Tani më tepër parapëlqen t’i ikë përgjigjes konkrete. Kjo, për shumë kë vlerësohet një sinjal që Luta, mund të ndërrojë mendje. Burimet e Portali 2LONLINE, brenda LDK-së thonë se nëse Luta nuk merr timonin e LDK-së, në qendër, apo nëse mbahen zgjedhjet nacionale, e ai nuk do të jetë në ndonjë post të rëndësishëm si shembull atë të kryeministrit, kandidatura e tij për kryetar të Gjilanit nuk ka alternativë, ai nuk e lëshon një rast të tillë.
Për më tepër, thuhet që Haziri të ketë thënë, në rrethe të ngushta brenda subjektit të tij, se deklarimet se nuk do të kandidojë janë rrjedhojë e faktit se ka vlerësuar që e ka dhënë nga vetja e tij atë që është dashtë për Gjilanin, por se tani, veçmas kohëve të fundit, ndodhet para një presioni të madh, të degës, strukturave të partisë në Gjilan, anëtarësisë, por dhe elektoratit, gjë që e kanë bërë ta mendojë seriozisht kandidimit e sërishëm, ndërsa mungesa e deklaratave konkrete e zyrtare, ka të bëjë me atë se zgjedhjet lokale janë në fundvit dhe ka kohë, por pret edhe zhvillimet rreth zgjedhjeve nacionale.
Pra, në lojë është edhe kandidimi…!