Lutfi Haziri-Luta, është një lider me përvojë, popullist sa të duash dhe shumë simpatizues të tij e konsiderojnë si “Hashim Thaçi i LDK-së”, në kontekstin e aftësisë se tij për të mobilizuar masat e gjera të votuesve.
Avdi AZIRI
Këto ditët e fundit, liderët e partive politike, kanë shpeshtua vizitat nëpër terren duke kontaktuar elektoratin e tyre. Ky fakt, të lenë me kuptua se zgjedhjet nacionale janë afër, por se shtrohet pyetja se kujt po i konvenojnë zgjedhjet në këtë kohë?!
Partia më e madhe në vend ajo e PDK-së, ia ka nxjerrë veshët në krah, duke pritur në ethe se kënd Gjykatës Speciale do ta akuzojë, dhe për këtë shkak si duket e kanë interesin më të madh që para se me u bë publike akuzat e para, me e dërgua vendin ne zgjedhje të parakohshme.
Është evidente se në këtë parti nuk ka qetësi sepse shumë anëtarë të sajë të fuqishëm mund të jenë emra në aktakuzat e Gjykatës Speciale. Shkuarja në zgjedhje të parakohshme do të ndikonte që në këtë parti të ruhet uniteti sepse çdo ditë po dëgjojmë zëra që japin opinione të kundërta me lidershipin e partisë.
Dështimet e qeverisë për me i kalua temat e mëdha, siç janë demarkacioni, asociacioni dhe formimi i ushtrisë së Kosovës janë faktor që e rrisin presionin edhe më shumë për ta quar vendin në zgjedhje të parakohshme.
Tema e zgjedhjeve të parakohshme behët edhe me e dukshme kur çdo ditë po dalin sondazhe që duket se janë të porositura nga partitë përkatëse, me qëllim që sondazhet t’i nxjerrin si parti fituese, apo si parti që kanë rritje të madhe, krejt kjo me qëllim të mobilizimit të qytetarëve që t’i votojnë ata,, nëse eventualisht mbahen zgjedhjet më frikë.
Sa herë që janë mbajt zgjedhjet, rivaliteti më i madh ka qenë në mes të PDK-së dhe LDK-së. Në kohën sa ishte gjallë Ibrahim Rugova, parti fituese ka dal çdo herë LDK-ja ,mirëpo gjërat ndryshuan pas vdekjes së tij. Duke u përçarë përbrenda, partia humbi primatin duke ja lënë vendin PDK-së për plotë dhjetë vite, që të dominojë si partia më e madhe në vend.
Tani, pas dhjetë viteve, PDK-ja ndodhet para një sfide të madhe, sepse po duket qartë se boshllëkun që e ka lënë Hashim Thaçi, lideri i ri Kadri Veseli nuk duket se po e arrin ta plotësojë mirë. As një herë në këto dhjetë vite, s’ka pas zëra të ndryshëm në PDK, e tani që partinë po e drejton Kadri Veseli, brenda partisë kanë dalë edhe zëra që mendojnë ndryshe e që në kohen kur lider ishte Hashim Thaçi, kjo nuk ndodhte.
Por, disa njohës të zhvillimeve brenda PDK-së, janë të bindur se zërat kundërshtues të disa eksponentëve të PDK-së, janë të sinkronizuar me lidershipin e partisë me qëllim që partnerin qeverisës LDK-në ta mbajnë nën presion të vazhdueshëm, me qellim që qeveria të paraqitet sa më e dështuar dhe në këtë mënyrë LDK-në ta dobësojnë sa më tepër, sepse e konsiderojnë si rivalin kryesor në garën zgjedhore.
Nëse ka një parti, që tani në këtë kohë, nuk i dëshiron zgjedhjet, ajo është LDK-ja, konkretisht kryeministri Isa Mustafa edhe atë për shumë arsye. E para, nëse shkohet në zgjedhje të parakohshme, do të rritej presioni ndaj tij, nga figurat e fuqishme të LDK-së dhe vështirë do ta merrte besimin për t’i prirë zgjedhjeve të reja, kur disa eksponent të partisë kanë filluar hapur t’i shfaqin ambiciet që në zgjedhjet e ardhshme ti prijnë partisë.
Njëri ndër akterët me të fuqishëm në LDK-së. Kryetari aktual i Gjilanit Lutfi Haziri, shpesh me aludime gjatë prononcimeve të tija, na ka bërë me kuptua se ai ka ambicie dhe qëllim që në zgjedhjet e ardhshme t’i prijë LDK-së.
Lutfi Haziri-Luta, është një lider me përvojë, popullist sa të duash dhe shumë simpatizues të tij e konsiderojnë si “Hashim Thaçi i LDK-së”, në kontekstin e aftësisë se tij për të mobilizuar masat e gjera të votuesve.
E, zgjedhjet e parakohshme me padurim po i presin edhe partitë opozitare, të cilat asnjëherë nuk e kanë pranuar këtë koalicion qeveritarë, qysh prej themelimit të sajë. Me vet faktin që janë që sa kohë opozitë ata janë të interesuar për zgjedhje të reja sa më parë, sepse e shohin si mundësi për të synuar marrjen e pushtetit, apo, për disa subjekte politike. së paku të kenë hise në të.
Po ashtu, partitë opozitare besojnë se kanë fituar kredi të mjaftueshme në besimin e qytetarëve., duke e parandaluar, sipas tyre, miratimin e demarkacionit dhe themelimin e asociacionit të komunave serbe.
Mirëpo, kjo mund t’u përkthehet edhe ndryshe nga votuesi, pasi mendohet dhe kësaj “ i fryjnë” edhe partitë në pozitë, se partitë opozitare me këto kundërshti, janë fajtorë për çështjen e liberalizimit të vizave, e qytetarët nuk po munden më ta përballojnë izolimin, posaçërisht gjeneratat e reja, të cilat nuk janë të ngarkuar me histori të të kaluarës, por ata dëshirojnë sa me parë t’u jepet mundësia lë lëvizin lirshëm, që të konkurrojnë papengesa me bashkëmoshatarët e tyre kudo nëpër Evropë.
Sido që të jetë, një gjë është me rëndësi se të gjitha gjërat që e ndërpresin stagnimin e vendit dhe që i avancojnë përpara proceset prosperuese për vendin, janë të mirëseardhura, qofshin ato për të cilat duhen paraprakisht edhe zgjedhjet e parakohshme nacionale.