Ismet Lushaku, 19-vjeçar është ftuar nga Kosova për miqësoren ndaj Suedise, që zhvillohet më 12 janar në Doha të Katarit. Për këtë ndeshje, përzgjedhësi Bernard Challandes, ka ftuar disa titullarë dhe shumë lojtarë të tjerë që shihen me potencial për të zënë vend në të ardhmen në përfaqësuesen A.
Mesfushori është pjesë e ekipit U-21 të Kosovës, ndërsa pritet të debutojë me seniorët në miqësoren ndaj Suedisë, që po ashtu nuk do të luajë me përbërjen e fortë.
Miqësorja e Kosovës me Suedinë mund të jetë trampolinë e mirë për Ismet Lushakun, për të bërë “kërcimin” e madh në karrierë, që ai e synon. Lushaku bën karrierë pikërisht në Suedi. Por nuk pritet të qëndrojë gjatë në këtë vend.
Mediat në Suedi kanë shkruar për interesimin e skuadrave nga Premier Leagues së Anglisë dhe të La Ligas spanjolle për reprezentuesin e ri të Kosovës.
Lushaku është pjesë e Eskilstunas, që nuk ia doli të sigurojë ekzistencën në elitën e Suedisë. Për këtë skuadër deri në fund të edicionit të vitit 2019 ka luajtur edhe Anel Rashkaj që tash është pa skuadër. Ka pak gjasë që Lushaku të vazhdojë të luajë në kategorinë e dytë suedeze.
Lushaku është zhvilluar te skuadrat e qytetit Eskilstuna. Këtë vit ka luajtur në 13 ndeshje në Allsvenskan, në edicionin e parë si senior.