Edhe pse shqiptarët nga viti 1981 deri në vitin 1991 vazhdonin të shtoheshin si kombësi pakicë në Serbi, ata nga viti 1991 e deri më sot vazhdojnë të shënojnë rënie në tri komunat që sot njihen si Lugina e Preshevës.
Në bazë të një hulumtimi të realizuar nga Këshilli Kombëtar Shqiptar (KKSH) me seli në Bujanoc, në të cilën ka pasur qasje portali informativ Titulli.com, numri i shqiptarëve që jetojnë në këto komuna viteve të fundit ka pësuar rënie.
Kjo situatë më evidente është në komunë të Medvegjës, derisa pasohet nga Bujanoci, kurse më pak e prekur është Presheva.
Sipas tabelës së siguruar, në Medvegjë në vitin 1981 jetonin 5.509 shqiptarë, kurse në regjistrimin e fundit të vitit 2002 kemi 2.693 shqiptarë më pak, pra në Medvegjë sipas këtij regjistrimi jetojnë 2.816 shqiptarë.
Në komunë të Bujanocit në vitin 1981 kishim të regjistruar 25.848 banorë etnikë shqiptarë, për të pasuar me shtim të popullsisë rreth 16 për qind deri në vitin 1991 (29.968) dhe më pas me rënie prej rreth 21 për qind në regjistrimin e vitit 2002, me gjithsejtë 23.681 banorë shqiptarë që jetojnë në këtë komunë.
Komuna e Preshevës sipas regjistrimeve të kryera nga organet kompetente në Serbi, nga komunat e banuara me shqiptarë në jug të vendit, ka arrit të përballojë më mirë shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet stërgjyshore.
Në Preshevë në vitit 1981 jetonin 28.961 shqiptarë për të vazhduar me shtim të popullsisë deri në vitin 1991 për 17.76 për qind, apo në 34.105 banorë shqiptarë vendas.
Nga viti 1991 e deri në vitin 2002 edhe në këtë komunë shpërngulja ka qenë e dukshme, mirëpo krahasuar me atë të Medvegjës dhe Bujanocit ajo kishte përqindje njëshifrore, pra -8.82 për qind, ose 31.098 shqiptarë që vazhdonin qëndrimin në këtë komunë.
Përndryshe, të dhënat e nxjerra nga arkivi tregojnë se përveç që shqiptarët jetojnë në Luginë të Preshevës, në brendi të Serbisë, sipas regjistrimit të vitit 2002 jetojnë 4.052 shqiptarë.
Regjistrimet tregojnë së ne Serbi (pa Kosovën) në vitin 1991 kishte popullsi më të madhe shqiptare me 78.971 qytetarë të kësaj pakice, kurse në vitin 2002 ajo kishte rënë për 17.324 banorë, kishin mbetur 61.647 qytetarë autoktonë.
Në bazë të dhënave të KKSH-së, në regjistrimin e vitit 2002, rreth 23.000 shqiptarë janë evidentuar si qytetarë jo rezident, që jetonin më shumë se një vit në botën e jashtme, apo vendet e rajonit.
Vlen theksuar se shqiptarët e Luginës së Preshevës kanë bojkotuar regjistrimin e vitit 2011 pas apeleve të bëra nga liderët politikë të këtij rajoni, meqë siç ishte thënë atëherë, kishte mangësi në procesin e regjistrimit të popullatës shqiptare, duke filluar me formularët për regjistrim si dhe çështje tjera teknike.