Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i shoqëruar edhe nga Kryetari i Skenderajt, Bekim Jashari, si dhe Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka bërë nderime në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz për nder të Epopesë së UÇK-së.
Presidenti Thaçi ka thënë se po shënojmë ditët e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ditët kur komandanti legjendar Adem Jashari, familja Jashari, bënë atë që askush në botë nuk e kishte bërë, sakrificën më sublime për lirinë, pavarësinë dhe bashkimin kombëtar.
“Lufta heroike e komandantit legjendar dhe familjes Jashari është nderi dhe krenaria e kombit. Në të njëjtën kohë është edhe udhërrëfyesi për të ardhmen, për shtetin e Kosovës, për kombin shqiptar, për të ardhmen tonë, që të jemi sa më shpejt pjesë e NATO-s dhe Bashkimit Evropian, që të jemi një vend i zhvilluar, i progresit, një vend që do të ndihet mirë çdo qytetar për të jetuar, do të ndihet edhe krenar. Prandaj, edhe njëherë lavdi dëshmorëve të kombit, lavdi komandantit legjendar Adem Jashari dhe zoti e bekoftë familjen Jashari”, ka thënë presidenti Thaçi.