Kushdo që ka përcjellë zhvillimet e procesit të shpërbërjes së Federatës Jugosllave dhe luftërave që ndodhën gjatë këtij procesi e di fare mirë se gjatë luftërave dhe pas përfundimit të tyre u vranë civilë. Rreth këtij fakti ka një konsensus të përgjithshëm.
Shkruan: Bardhyl MAHMUTI
Divergjencat fillojnë kur kërkohet të dihet se kush i kreu vrasjet e tyre. Pikërisht në funksion të fshehjes së përgjegjësisë së vet për vrasjen e civilëve në Kosovë, Serbia zbatoi strategjinë e njollosjes së luftës së UÇK-së duke u përpjekur ta bënte fajtore për krimet që i kishin kryer forcat serbe, dhe në këtë mënyrë të fshihte gjurmët e gjenocidit në Kosovë.
Diku në fillim, në formë hyrjeje paralajmëruese, mbase do i shkonte dhe një fjali si kjo: Serbia, krahas luftës gjenovidale në Kosovë, është kujdesur që paralelisht ta mbulojë propagandurshëm gjithë plojën antishqiptare, duke akuzuar UÇK për krimet që bënën forcat e saja ushtarako-policore në Kosovë!
Sa i përket luftës në Kosovë, fillimisht po përmend faktin se në funksion të strategjisë së prezantimit të shtrembëruar të aspiratave çlirimtare të shqiptarëve të Kosovës, Sigurimi Shtetëror i Serbisë përgatiti materialin e titulluar “Bela knjiga: Terorizam Albanskih separatizam na Kosovo i Metohiji” (“Libri i bardhë: Terrorizmi i sepa¬ratistëve shqiptarë në Kosovë dhe në Dukagjin), i publikuar në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Jugosllavisë, në Beograd, në shtator 1998.
Ky libër u botua i përkthyer edhe në gjuhën angleze dhe në gjuhën frënge, dhe kjo ministri ua shpërndau falas institucioneve me peshë në marrëdhëniet ndërkombëtare, institucioneve shtetërore të shteteve anëtare të OKB-së, mediave ndërkombëtare, bibliotekave universitare dhe personaliteteve me peshë në fusha të ndryshme intelektuale.
Variante të plotësuara të këtij “Libri të bardhë” u ribotua nga regjimi i Milosheviqit në janar të vitit 1999 me titull: “Zločin albanskih terorista” (Krimet e terroristëve shqiptar)) dhe në mars të vitit 2000 u botua varianti anglisht i titulluar “Terrorist acts of Albanian terrorist groups in Kosovo and Metohija : documents and evidence 1 January 1998 – 10 June 1999” (Aktet terroriste të grupeve terroriste shqiptare në Kosovë dhe Dukagjin).
Pas përmbysjes së Sllobodan Millosheviqit nga pushteti, qeveria e re e Beogradit vazhdoi me të njëjtën propagandë. Në nëntor të vitit 2001, u botua dhe u shpërnda varianti i ri i propagandës së vjetër: “Žrtve albanskog terorizma na Kosovu i Metohiji (Ubijena, oteta i nestala lica, januar 1998 – novembar 2001” [Viktimat e terrorizmit shqiptar në Kosovë dhe Dukagjin (personat e vrarë, të rrëmbyer dhe të zhdukur, janar 1998-nëntor 2001)].
Sipas pohimeve publike të funksionarit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, Vladimir Bozhoviq, “me qëllim të përgatitjes dhe të sigurimit të dëshmive materiale kundër UÇK-së, ai ishte takuar disa herë me Prokuroren e Përgjithshme të Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavi, Carla Del Pontes dhe me Clint Williamsonin, i cili ishte shef i Departa¬mentit të drejtësisë dhe të drejtave të njeriut të UNMIK-ut në periudhën 2001-2002, (Gjatë periudhës 1994-2001 Clint Williamson ka punuar si prokuror në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavi) dhe u kishte dhënë këtë libër dhe dosjet me mbi 27 mijë faqe”. [Gazeta Politika, Biljana Baković, Za trgovinu organima Beograd saznao pre devet godina, (Për tregtinë me organe Beogradi ka qenë në dijeni para nëntë vitesh), 02.01.2011], dhe Biljana Radomiroviq, Obmane Del Ponteove (Mashtrimet e Del Pontes).
Nën ndikimin e këtyre dosjeve të sajuara nga Shërbimi Sekret i Jugosllavisë, Prokurorja e Përgjithshme e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë ngriti aktakuza kundër Fatmir Limajt, Haradin Balajt dhe Isak Musliu. ( Tribunal Pénal International pour l’ex-Yougoslavie, Affaire N° IT -03-66-1).
Në aktakuzën e parë të datës 24 janar 2003 (Tribunal Pénal International pour l’ex-Yougoslavie, Affaire N° IT -03-66-1, Acte d’acusation, 24 janvier 2003) dhe në aktakuzën e ndryshuar të datës 7 mars 2003 (Tribunal Pénal International pour l’ex-Yougoslavie, Affaire N° IT -03-66-1, Acte d’acusation modifié, 7 mars 2003), kemi zbatimin e teknikës Copy/Past të “dëshmive” të dorëzuara nga njerëzit e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Jugosllavisë dhe të sajuara nga Shërbimi Sekret i Jugosllavisë.
Mirëpo, në shtator të vitit 2003, regjimit të “ri” në Beograd botoi një variant të ri të “librit të bardhë”, të ndryshuar në përputhje me ndryshimin e rrethanave në skenën politike ndërkombëtare. Në një konferencë për shtyp të mbajtur në Kuvendin e Serbisë, kryeministri i Serbisë, Zoran Zhivkoviq, zëvendëskryeministri dhe shefit të së ashtuquajturës “Qendra Koordinuese për Serbinë Jugore dhe Kosovë dhe Dukagjin…”, Nebojsha Çoviq, dhe shefi i Shërbimit Sekret Serb, Misha Milliqeviq prezantuan librin e titulluar “Albanski terorizam i organizovani kriminal na Kosovo i Metohiji” (Terrorizmi shqiptar dhe krimi i organizuar në Kosovë dhe Dukagjin).
Në këtë konferencë për gazetarët kryeministri serb deklaroi se “qëllimi i publikimit të këtij libri është t’u ndihmohet atyre që duhet të veprojnë kundër kriminalitetit të organizuar, para se gjithash UNMIK-ut dhe KFOR-it (…). Është përfolur se gjoja nuk ka prova të mjaftueshme për të ndërmarrë veprime të tilla, se u mungojnë faktet konkrete e kështu me radhë. Libri “Terrorizmi Shqiptar dhe Kriminaliteti i Organizuar në Kosovë dhe Dukagjin” ofron mjaft sqarime dhe fakte për krimet e kryera në Kosovë dhe Dukagjin, të cilat mund të jenë mjaft interesante edhe për punën e Gjykatës në Hagë”. (http://www.srpskadijaspora. info/vest.asp?id=4093, më 7 dhjetor 2003)
Me qëllim që të ndikohet te institucionet ndërkombëtare të drejtësisë dhe të sigurohet mbështetja ndërkombëtare në luftë kundër “terrorizmit shqiptar”, në këtë material të ri propagandues serb, Ushtria Çlirimtare e Kosovës përshkruhet si “organizatë terroriste që përdorin dhunën kundër popullsisë civile serbe, shqiptare dhe pjesëtarëve të grupeve të tjera etnike që jetojnë në krahinë si dhe kundër policisë e Ushtrisë Jugosllave (…)
Krahas aksioneve terroriste në nivelin lokal, ata vendosin lidhje me grupet terroriste islamike që veprojnë në planin global dhe financohen në mënyrë të ngjashme si grupet e tjera terroriste, duke siguruar mjetet financiare me dhunë ose nga trafiqet me drogë.” Sipas po të njëjtës propagandë “Përveç tregtisë me lëndë narkotike, mafia shqiptare vuri nën kontrollin e saj edhe prosti¬tucionin ndërkombëtar, tregtinë ilegale të armëve, të cigareve dhe të mallrave të tjera me akcizë, të automobilave të vjedhur, trafikimin me njerëz dhe shitjen e organeve njerëzore (…)” (Qeveria e Serbisë, “Libri i bardhë- Terrorizmi shqiptar dhe krimi i organizuar..”, botimi 2003, f 23).
Efekti i kësaj propagande te Prokurorja e Përgjithshme e Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë ishte i menjëhershëm dhe në dy drejtime:
1. Carla Del Ponte urdhëroi zhvillimin e hetimeve lidhur me dyshimet për “trafikim të organeve njerëzore nga ana e UÇK-së” dhe kërkoi nga “UNMIK-u, nga autoritetet lokale të Kosovës dhe të Shqipërisë të shoqërohen nga shërbimet e policisë serbe” për të ndriçuar këto pretendime. Kërkesa e Carla Del Pontes që UNMIK-u, autoritetet lokale të Kosovës dhe të Shqipërisë të mbështeten në shërbimet policore serbe është kërkesë për të arsyetuar, tërthorazi, mbështetjen e vet te këto burime;
2. Më 6 nëntor 2003 ajo ndryshoi aktakuzën për herë të dytë dhe e përshtati me variantin e ri të propagandës së Qeverisë së Serbisë.
Për t’u përshtatur me librin propagandistik serb “Terrorizmi shqiptar dhe krimi i organizuar në Kosovë dhe Dukagjin”, ku rreth 100 herë UÇK-ja cilësohet si “organizatë kriminale”, në variantin e tretë të aktakuzës (Tribunal Pénal International pour l’ex-Yougoslavie, Affaire N° IT -03-66-1, Deuxième acte d’acusation modifié, 6 novembre 2003) Carla Del Pontes, me dhjetëra herë e cilëson UÇK-ja si “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale” që gjoja ka kryer sulme të përgjithshme dhe sistematike të drejtuara kundër popullsisë civile serbe dhe shqiptarëve që dyshoheshin si bashkëpunëtorë” dhe kinse “kundër tyre ka zbatuar tortura, trajtime mizore, vrasje…” (Varianti i tretë i aktakuzës së lartpërmendur i datës 6 nëntor 2003, pikat 6-13 dhe 19-27).
Në të njëjtën frymë si ajo që mbizotëronte në aktakuzën kundër Fatmir Limajt dhe bashkëluftëtarëve të tij dhe e mbështetur në sajesat e materiale të dorëzuara nga përfaqësuesit e Serbisë, më 4 mars 2005, Carla Del Ponte ngriti aktakuzë kundër Ramush Haradinajt, Lahi Brahimajt dhe Idriz Balajt (Tribunal Pénal International pour l’ex-Yougoslavie, Affaire N° IT-04-84bis-PT, 4 mars 2005).
Që në variantin e parë të kësaj aktakuzë dhe në katër variantet e modifikuara të aktakuzës, Carla Del Ponte zbaton teknikën e njëjtë Copy/Past të “dëshmive” të sajuara nga Shërbimi Sekret Serb dhe të cilësimeve të UÇK-së si “Ndërmarrje e Përbashkët Kriminale”.
Të dy proceset gjyqësore kundër komandantëve dhe luftëtarëve të lartpërmendur të UÇK-së përfunduan me pafajësinë e plotë të të pandehurve. Megjithatë, proceset gjyqësore të motivuara politikisht dhe të mbështetura në “provat” serbe shkaktuan vuajtje të mëdha individuale dhe familjare për njerëzit që padrejtësisht kaluan vite të tëra në burgje dhe procese gjyqësore.
Ndërkaq, pas hetimeve të hollësishme disavjeçare dhe në pamundësi të gjenin qoftë edhe një provë të vetme që do të mbështeste shpifjet për gjoja “trafikimin e organeve njerëzore nga UÇK-ja”, Carla Del Ponte, urdhëroi ndërprerjen e hetimeve. Pesë vjet më vonë, Carla Del Ponte i kthehet kësaj çështjeje dhe në librin autobiografik ajo deklaron:
“Këto lloj historish të burgosurish, të vrarë nga trafikantët e organeve, rikthehen mjaft shpesh në zonat e konflikteve, por shumë rrallë ka prova konkrete për t’i argumentuar këto tregime, të cilat përfundojnë si legjenda të thjeshta”. [Carla Del Pontes, botimi në gjuhën frënge, “La traque, les criminels de guerre et moi” (Përndjekja: Unë dhe kriminelët e luftës”), f.470].
(VIJON)