Kuvendi i Komunës së Gjilanit dështon sërish të mbajë seancën pasi LDK-ja si subjekt shumicë braktisi atë dhe në mungesë të kuorumit, kryesuesi i Kuvendit, Kushtrim Kadriu e mbylli seancën.
Ndonëse, sinjali i seancës i siguruar nga komuna, shkonte drejtpërdrejt në faqen zyrtare të komunës, ishte i shpërndarë njëkohësisht për audiencën e më se dhjetë mediumeve lokale, që transmetonin poashtu seancën, e të pranishëm në sallë po ashtu kishte prezentë gazetarë lokalë, Shefi i Grupit të këshilltarëve të LDK-së, Avdyl Aliu, i kthehet temës së vjetër, dhe flet sërish për mungesë të transmetimit medial, e terr informativë, si arsyetim për me braktis seancën, gjë që edhe ndodhi.
Tani, Aliu i LDK-së, apo keqinformon publikun qëllimisht, apo e ka nga mosdija, kur kërkesën e tij (që duket se e ka për cilësi të prodhimit), e ndërlidh me mungesë mediale, i mbetet atij në ndërgjegje, porse ai i shihte gazetarët prezentë, e dinte që mediumet lokale e transmetonin seancën, madje edhe fjalën e tij drejtpërdrejt, teksa po fliste për mungesë mediale e terr informativ.
Duket se lojën e sotme e prodhojë deklarata e mbrëmshme e kreut të komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, i cili, në deklarimin e tij, tregoi gatishmëri për t’iu përgjigjur të gjitha kërkesave që i kishin parashtruar, nëpërmjet konferencave (me media lokale), përfaqësuesit e subjekteve opozitare, në këtë rast edhe ato të LDK-së.
Sidoqoftë, duke i parë këto zhvillime të kohëve të fundit, duket se përbërja e këtij kuvendi më së paku është i interesuar për interesin qytetar por, i shohin vetëm matematikat e tyre partiake, në këtë rast mundohen të keqinterpretohet roli i mediave, për përfitime politike e partiake, por kjo nuk shkon dhe duket sheshazi.
Zatën, në asnjë periudhë, seancat e kuvendit komunal nuk kanë mbetur pa u pasqyruar asnjëherë, sepse, besoj e din krejta subjektet politike, se për to është shkruar, pasqyruar nëpër media lokale, e besa edhe qendrore, pavarësisht a ka pas, a nuk ka pas transmetime live dhe kush ishte në pushtet apo opozitë.
Nëse Aliu dhe subjekti i tij dëshirojnë t’i adresojnë kritikat e tyre në adresë të pushtetit dhe i kanë kërkesat e tyre, që mund të jenë edhe plotësisht me vend, pse jo, ato duhet t’i bëjnë në adresën e duhur dhe në formën e duhur, e jo në kurriz të mediave, përkundrazi përmes mediave mund të përçohet më së miri qëndrimi i tyre, gjë që ai e di, sepse mediat lokale përherë kanë qenë të hapura dhe bashkëpunuese dhe e kanë përçuar zërin opozitar në çdo periudhë kohore, dhe edhe tani, përfshirë edhe me subjektin e tij politik.
Aliut i mbetet të sqarohet, për hir të publikut, të tregojë qartë kërkesën e tij, pa bërë hile, me qëllim apo pa qëllim, që ne, nuk jemi fokus i tij, por pushteti, e që mund të ketë të drejt t’i “hakërrohet”, sepse, tekefundit është opozitë, por duhet të artikulohet qartë që edhe publiku ta kuptojë mirë. /2LONLINE/