Teknologjia e Informimit dhe Komunikimeve është faktori kryesor që ndërlidh sektorëve të ndryshëm ekonomik duke mundësuar rritjen e efikasitetit dhe profilit të kompanive, rrjedhimisht zhvillimin ekonomik të vendit, ka deklaruar Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka.
Këto komente kreu i MZHE-së i bëri sot në hapje të Konferencës “Vajzat në TIK”, e cila u organizua nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik në bashkëpunim me IPKO Foundation, Ambasadën Amerikane, Empower USAID, A.U.K TDI dhe Komunën e Prishtinës në kuadër të shënimit të Ditës Ndërkombëtare e Vajzave në TIK.
Ministri Lluka tha me këtë rast se MZHE vazhdimisht e përkrah këtë program, pasi ky institucion mbulon sektorin e TIK-ut dhe kryesisht merret me investimet në infrastrukturë dhe ndërtimin e shkathtësive në këtë fushë.
“Është kënaqësi që Kosova është pjesë e këtij promovimi. MZHE tashmë ka disa projekte siç janë; WOW një program i cili ka trajnuar mbi 400 vajza ku gjysma prej tyre kanë janë punësuar. Projekti që është në ardhje e sipër është projekti i quajtur ‘Ekonomia Digjitale’ që mundëson lidhjen e gjithë sektorëve ekonomik përmes TIK-ut”, tha ai.
Duke folur pet projektin ‘Ekonomia Digjitale’, Lluka tha se qëllimi kryesor i këtij projekti është përmirësimi i infrastrukturës, ku mbi 20 milionë euro do të futen në infrastrukturë, derisa një pjesë tjetër e fondit do të shkojë në krijimin e vendeve të reja të punës. Sipas tij, me finalizimin e këtij projekti brenda dy viteve Kosova do këtë një pozitë shumë më të mirë në këtë aspekt.
Një angazhim tjetër me rëndësi në këtë drejtim, Ministri Lluka përmendi edhe projektin e TechPark, objektin e të cilit Qeveria do t’ia japë në shfrytëzim për 20 vjet STIKK-ut, ku bizneset mund të zhvillojnë idetë e tyre inovative dhe të zhvillojnë shërbimet e tyre në sektorin e TIK-ut.
Nga ana e saj, Abetare Gojani Drejtoreshë e programit në IPKO Foundation, duke folur për aktivitetin ‘Vajzat në TIK”, tha se ky është viti i katërt që organizohet, duke vlerësuar si mjaft të suksesshëm. “Gjatë tri viteve të fundit kemi pasur diku 900 pjesëmarrëse të trajnuara, më shumë se 60 kompani pjesëmarrëse në panairin e punës si dhe mbi 100 pjesëmarrës të regjistruar në panairin e punës. 42 % e vajzave nëpërmjet këtij panairi të punës kanë arritur të punësohen, do të thotë të fitojnë kontrata të rregullta të punës”, tha ajo.
Ndërkaq, Visar Jasiqi – Shef i Operacioneve dhe Zyrtar për Marrëdhënie me Jashtë në RIT – Kosova (AUK) theksoi se nga disa statistika në vitin 2013 u tha se vetëm 20 % të punësuarve në sektorin e IT –së i takojnë gjinisë femërore, andaj RIT Kosova ka marrë një iniciativë, të cilës iu bashkuan edhe shumë partnerë të tjerë, në mënyrë që të ndryshojë perceptimi për këtë sektor.
Ndryshe, në kuadër të Konferencës “Vajzat në TIK” pjesëmarrëse nga vende të ndryshme kanë rrëfyer historitë e tyre të suksesit në këtë fushë, ndërsa gjatë ditës do të qëndrojë i hapur edhe panairi i punës, ku kompani të ndryshme shpalosin ofertat e tyre.
Dita Ndërkombëtare e Vajzave në TIK festohet në më shumë se 150 shtete përmes ngjarjesh të ndryshme të cilat synojnë të vetëdijes ojnë dhe të zotohen për një mjedis lokal i cili fuqizon dhe nxit vajzat dhe gratë që të mendojnë për karrierë në sferën e informacionit dhe komunikimit (TIK) e cila është përherë në rritje e sipër.