Në samitin dixhital të Ballkanit Perëndimor i cili po mbahet në Beograd, ministri i zhvillimit ekonomik, Valdrin Lluka, në emër të Kosovës ka nënshkruar marrëveshjen për zbritjen e çmimeve të roaming për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Palët nënshkruese të marrëveshjes, e cila do të quhet “Roaming si në shtëpi” do të fillojnë gradualisht që nga 1 korriku 2019 të ulin kostot e roaming-ut, ndërsa nga 1 Korriku 2021 nuk do të ketë çmime bazë të roaming-ut.
Kjo marrëveshje është nënshkruar nga 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnja e Hercegovina dhe Serbia.
Ministri Lluka u shpreh i gëzuar për arritjen e një marrëveshje të tillë dhe tha se kydo të jetë një hap i mëtutjeshëm për interkonektivitet ndërmjet vendeve të Ballkanit.
“Është një lajm shumë i mirë për vendet e Ballkanit Perëndimor arritja e një marrëveshje të tillë. Besoj se kjo marrëveshje është edhe një hap më tutje drejt rritjes së bashkëpunimit rajonal mes shteteve të Ballkanit Perëndimor” u shpreh ministri Lluka.
Komisionerja Europiane për Ekonomi dhe Shoqëri Dixhitale, Mariya Gabriel, tha se Bashkimi Europian do ta përkrahë këtë marrëveshje për dixhitalizimin e Ballkanit.
“Kjo është marrëveshja e juaj, ne si BE do t’ju përkrahim. Ju mund të llogarisni tek mbështetja jonë dhe kjo është një ditë historike që duhet punuar në këtë drejtim. Agjenda evropiane dixhitale nuk është vetëm një deklaratë, por më shumë se kaq. BE-ja ka ndarë mbi 30 milionë euro për këtë aspekt, përkatësisht për dixhitalizimin e Ballkanit”, tha komisionerja Gabriel.
Në anën tjetër, Majlinda Bregu, Sekretare e përgjithshme e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal, tha se kjo marrëveshje është mundësi e mirë që ndër të tjerash të lidhen edhe bizneset ndërmjet vete.
“Kjo agjendë dixhitale po na ndihmon që të integrohemi edhe pse nuk jemi pjesë e Bashkimit Evropian. Sfida jonë kryesore është integrimi dixhital. Kjo marrëveshje që do të nënshkruhet sot është mundësi që t’i trajtoj njëjtë qytetarët e Ballkanit Perëndimor dhe t’i lidh bizneset ndërmjet vete”, u shpreh Bregu.
Gjatë këtij qëndrimi dy ditor ministri Lluka do të jetë pjesë e paneleve dhe diskutimeve të ndryshme të cilat do të kenë fokus në dixhitalizimin dhe rritjen e bashkëpunimit regjional.