Policia e Kosovës në rajonin e Gjilanit me 26 mars 2020 rreth orës 22:57 ka takuar gjashtë persona në rrugët e fshatit Livoç i Epërm komuna Gjilan. Ata janë arrestuar për “Mosveprimi sipas dispozitave ligjore në fuqi gjatë epidemisë”.
Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije se ata nuk e respektonin kohën e lëvizjes, dhe binin ndesh me vendimin e lëshuar nga Qeveria e Kosovës Nr. 130/2020 lidhur me oraret e cekura në urdhëresë për ndalesë të lëvizjes së lirë.
“Personat në fjalë, nuk kanë pas arsye bindëse apo leje valide për të lëvizure në atë kohë. Ata jenë intervistuar në bazë të procedurave ligjore dhe me vendim të prokurorit të shtetit ndaj të gjithëve është caktuar masa e ndalimit për dyzet e tetë (48) orë”, ka thënë Hashani.
Ai ka përkujtuar se në bazë të KP “Neni 250, mosveprimi sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë, dhe kushdo që gjatë kohës së epidemisë ose të ndonjë sëmundjeje ngjitëse nuk vepron sipas urdhrave apo vendimeve tjera të nxjerra në bazë të dispozitave të organit kompetent, i cili cakton masat që kanë për qëllim luftimin apo parandalimin e tyre, ata dënohet me burgim deri në dy (2) vjet”.
“Policia e Kosovës është e përkushtuar që të punoj dhe veproj për të mirën e qytetarëve të saj”, ka thënë toger Ismet Hashani.