Me të mbaruar me sukses studimet postdiplomike në Universitetin e Prishtinës (programi i bashkëpunimit mes Fakultetit të Inxhinierisë Kompjuterike dhe Fakultetit të Pitsburgut-SHBA), Inxhinieri gjilanas Liridon H. Hoti ka vazhduar dhe është në përfundim të studimeve të doktoratës në Shkenca Kompjuterike.
Për nga natyra Liridon Hoti është modest. Ai tregon rrugën e suksesit të tij në fushën e Komunikimeve të Teknologjisë së Informacionit dhe vështirësitë në karrierë. Ka punuar ende pa i mbushur 21 vjeç profesor i lëndëve të Telekomunikacionit dhe Kompjuterikes në Shkollat e mesme në Gjilan. Mandej, ka vazhduar karrierën profesionale në disa Ministri në Qeveri të Kosovës.
“Normalisht, se fillimi ishte i vështirë, pasi isha i ri por me kalimin e kohës dhe me përkrahjen e familjes dhe kolegëve ia kam arritur me suksese të përballem në sfidat e jetës”, ka thënë ai.
Aktualisht, Hoti është udhëheqës i Teknologjisë së Informacionit në Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike (Kuvendi i Kosovës) në Prishtinë si dhe punon si Ligjërues i Shkencave Kompjuterike në disa Universitete e së fundi është Ligjërues i lëndëve të Kompjuterikes në Kolegjin Universitar Tempulli në Prishtinë.
“Kam mbaruar studimet për Inxhinieri Tekomunikuese dhe Kompjuterike dhe kam mbi 10 vite eksperiencë profesionale. Pas shumë vitesh punë dhe eksperiencë në sektorin publik si Inxhinier i IT-së, së fundi jam Menaxher i Teknologjisë së Informacionit në Autoritetin Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Ligjërues i Shkencave Kompjuterike në Fakultet.Si Udhëheqës aktual i IT-së, mund të them se ka qenë koha e mjaftueshme për të marrë nën kontroll dhe për të vlerësuar gjithë problematikën që ka shoqëruar rrjetin Internetit dhe Shkëmbin e trafikut të rrjetit brenda Autoritetit”, ka thënë Hoti.
Ai shtoi se duke parë problematikën e çështjeve të IT-së, mund të thotë se për të është një kënaqësi e veçantë në momentin kur të arrijnë së bashku me kolegët Inxhinier dhe stafin mbështetës, t’iu japin zgjidhje brenda një kohe tepër të shkurtër ankesave nga Zyrtarët dhe nga Qytetarët. Një tjetër kënaqësi e punës është fakti që kanë mundur ta kenë nën kontroll të plotë gjithë rrjetin e Internetit brenda Autoritetit dhe të ndërhyjnë në çdo problematikë programore dhe harduerike.
Kur jemi te sfidat, Hoti thotë se sfida më e madhe në punën e tij dhe kolegëve të tij, është t’i sigurojnë mos ndërprerje të funksionimit të programeve me theks bazave të të dhënave, si dhe arrijmë funksionalitet të plotë në qasjen e resurseve hadruerike dhe softuerike brenda institucionit. Kjo është sfida dhe qëllimi i gjithë punës së Teknologjisë së Informacionit në këtë moment.
Hoti flet edhe për atë se si nis për të një ditë e zakonshme: “Dua të theksoj se gatishmëria ndaj çdo ankese të marrë ka qenë maksimale. Nëse ka një ndonjë problem, ai merret menjëherë në shqyrtim dhe në bazë të verifikimeve pastaj hartohet plani i veprimit. Disa punë duan një ndërhyrje më të shpejtë, e disa të tjera duan një kohë më të madhe apo investim, por e rëndësishme siç e thashë është moslënia pas dore e asnjë problematike. Dita e punës nis në mëngjes, por nuk i dihet kurrë kur mbaron, pasi shpesh na duhet të ndërhyjmë me emergjenca edhe gjatë natës për shkak të ndërprerje të rrymë elektrike apo ndryshimit të tensionit në pajisje (serverë, router, firewall etj.), në mënyrë që t’i sigurojmë që sistemi i alarmit dhe kundërzjarrit të jenë funksional. Zakonisht pas orës 16:00 merrem me Fakultet, jam në Ligjërim apo jam në konsultime me student etj”, thotë Hoti.
Përndryshe, çdo Inxhinier të ri apo kushdo tjetër që dëshiron të punojë në sektorin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit, Hoti thotë se do të donte ta inkurajonte dhe këshillonte që të përpiqet sa më shumë të vendosë në zbatim dijet e tij. Por mbi të gjitha, të ketë vullnetin dhe dëshirën për të bërë një ndryshim, sado i vogël qoftë ai. “Besoj se në Kosovë shpesh ka koncepte të gabuara mbi punën, por nga eksperienca ime them se asgjë nuk është e pamundur dhe se nëse i qëndron besnik profesionalizmit dhe vlerave, atëherë ia del mbanë të lësh gjurmët e tua në një vepër të mirë”, thotë ai.
Përndryshe, sukseset e mëtejme të Liridon Hotit në shkencë, mbase duhet të jenë shtytje dhe motivim shtesë për të rinjtë tanë, kur dihet mirëfilli se Gjilani vazhdimisht po nxjerr talentë të Shkencave Kompjuterike.