Me marrjen e detyrës së re në krye të Agjencisë, komisionerja Krenare Sogojeva -Dërmaku dha porosi të qarta se liria e informimit dhe e drejta në privatësi do të jenë të garantuara për qytetarët.
Gjatë takimit të saj në një atmosferë të ngrohtë me të punësuarit në agjenci, komisionerja Sogojeva-Dërmaku shpalosi vizionin e saj për fuqizimin e shpejtë të këtij autoriteti, në mënyrë që dyert e saj të qëndrojnë të hapura në çdo kohë për qytetarët e vendit.
Me këtë rast, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë, Bujar Sadiku e njoftoi komisioneren me personelin ekzistues të këtij institucioni, duke e informuar atë me rrjedhën e zhvillimeve, nëpër të cilat ka kaluar kjo agjenci gjatë pesë viteve të fundit, gjersa kishte mbetur pa titullar.
Mes tjerash, komisionerja Sogojeva Dërmaku u informua edhe me proceset e ngutshme që e presin agjencinë për funksionalizimin e plotë të saj, të cilat lidhen kryesisht me fuqizimin e legjislacionit sekondar dhe rekrutimin e kuadrove të reja shumë të nevojshme për të.
Vlen të theksohet se përmbyllja e procesit të stërzgjatur për përzgjedhjen e komisioneres është shumë domethënës për fuqizimin e agjencisë, por edhe një lajm shumë i mirë për qytetarët, të cilët, nga sot e tutje do ta kenë derën hapur për t’i adresuar shqetësimet e tyre, njofton Zyra për Komunikim me Publikun e Agjencisë për Informim dhe Privatësi. /2LONLINE.com/