Me 28 shkurt pritet të zyrtarizohet partia e Fatmir Limajt dhe Jakup Krasniqit. Ajo do të quhet Iniciativa Qytetare, të cilës do t’i bashkohen dega e Malishevës, Drenasit dhe Lipjanit.
Aktakuza e re e EULEX-it për korrupsion ndaj Fatmir Limajt, nuk do ta ndalë atë që të formojë subjektin e ri politik. Limaj ka vendosur që të premten e ardhshme ta zyrtarizojë partinë e re bashkë me kryeparlamentarin Jakup Krasniqi, shkruan ”Zëri”.
Sipas kësaj gazete, tashmë është vendosur që Limaj të jetë kryetar i kësaj partie, e cila do të quhet Iniciativa Qytetare.
Zyrtarizmi i këtij subjekti pritet të bëhet më 28 shkurt në orën 17:00 në një ceremoni solemne që do të mbahet në sallën e kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë.