(2LONLINE) – Zbatimi I Ligjit për kontrollin e duhani në komunën e Gjilanit nuk është në nivelin e kënaqshëm. Sidomos tani me ftohjen e kohës duhani ka filluar të konsumohet në lokale e mbyllura. E Inspekcioni komunal ka ndërmarrë tani së fundi një aksion të inspektimeve të institucioneve të ndryshme dhe se nuk kanë munguar as fletëparaqitjet për shkelësit e këtij ligji.
Se niveli i zbatueshmërisë të këtij ligji në Gjilan nuk është në nivelin e duhur doli edhe nga diskutimet që u bënë nga të pranishmit në një debat ku u debatua mbi “Ndryshimin kulturor që po e sjell zbatim i ligjit për kontrollin e duhanit n shoqërinë tonë”.
Muhamet Kastrati inspektor komunal ka pranuar se gjendja në terren, kur është në pyetje Gjilani, nuk është e kënaqshme sa i përket zbatueshmërisë së këtij ligji . AI ka thënë se po ballafaqohen me sfida të shumta e ndër to edhe me numrin e vogël, të pamjaftueshëm, të inspektorëve që do të inspektonin edhe zbatueshmërinë e këtij ligji.
Kastrati ka thënë se prej kur ka hy në fuqi ligji i ri për duhanin në maj të këtij viti, ka pas një fillim të mbarë në Gjilan, por se sipas tij kjo edhe ka ndodhur për shkak të motit të mirë dhe për faktin se shumica e objekteve hoteliere kanë pasur tarracat e tyre jashtë por se me ftohjen e motit gjendja ka ndryshuar për të keq.
Sipas Kastratit, po ashtu fushata zgjedhore në kuadër të zgjedhjeve lokale ka ndikuar në efektivitetin e inspektorëve në terren, por se ai ka bërë me dije se pas përfundimit të balotazhit është punuar në terren dhe është bërë një numër i inspektimeve , disa prej të cilave kanë rezultuar edhe me shqiptimin e fletëparaqitjeve për shkelësit e këtij ligji.
Ai ka bërë me dije se në bashkëpunim edhe me policinë, brenda një dite, kanë bërë inspektimin e 16 objekteve dhe se me këtë rast edhe janë 6 fletëparaqitje janë dërguar në Gjykatë ndaj atyre që kanë ra ndesh me këtë ligj.
Rrahim Bajrami inspektor i arsimit tha se edhe ata bëjnë inspektime në shkolla si inspektoriat rajonal dhe se japin pastaj edhe rekomandime për këto institucione konformë gjendjes që e regjistrojnë prej inspektimeve.
Afërdita Kqiku nga shoqëria civile ka thënë se gjithë jemi dëshmitarë se me ftohjen e kohës , ligji në fjalë nuk po zbatohet , derisa edhe Shaban Terziu po nga shoqëria civile ka kërkuar nga kompetentët të investohet në vetëdijesimi ne qytetarëve e veçmas shkollarëve në dëmet që vijnë si rrjedhojë e konsumimit të duhanit por edhe të qëndruarit aty ku pihet duhani.
Sadullah Ahmeti ka kërkuar nga kompetentët që mbikëqyrin këtë ligj të jenë sa ma azhur dhe në nivel të detyrës duke mos pas pardon ndaj askujt që e shkelin dhe nuk e përfillin këtë ligj dhe se në këtë drejtim si shembull ai ka përmendur edhe disa lokale të caktuara ku, sipas tij, kurdo që të shkosh aty, ato ambiente i ke të dendura nga tymi i duhanit.
Edhe Sami Hoxha, drejtor shkolle, ka marr shembuj të ligjeve apo vendimeve tjera që kur ka pas këmbëngulësi edhe ka pas rezultate duke kërkuar që edhe me rastin e këtij ligji të ketë vendosmëri në zbatueshmëri.
Ndërkohë, gjendja më ndryshe, është në kryeqytet, ku sipas Faik Hotit nga Ministria e Shëndetësisë, vërehen rezultatet pozitive të këtij ligji ndonëse ai tha se duhet punuar për t’u arritur rezultate e dëshiruara.
Hoti ka thënë se ku është në pyetje kryeqendra e Kosovës mund të flitet për efektet pozitive të këtij ligji pasi përkundër sfidave ai aty po gjen zbatueshmëri, ndërsa ka përmendur edhe raportin e progresit ku ka vlerësime pozitive për këtë ligj. Ai ka bërë me dije se ka pas inspektime, por edhe gjoba dhe se suksesi i këtij ligji, në këtë fazë, mund të vlerësohet i suksesshëm.
Hoti ka thënë se ky ligj ka të bëjë me shëndetin publik të popullatës dhe se asnjëherë nuk duhet hequr dorë nga zbatueshmëria e këtij ligji duke kërkuar me këtë rast kontributin e secilëve duke përfshirë këtu edhe atë të vet qytetarëve dhe të shoqërisë civile.
Edhe Dr Skender Syla nga Organizata Botërore Shëndetësisë ka vlerësuar lartë ligjin në fjalë që e kanë aprovuar institucionet përkatëse dhe ka kërkuar zbatueshmërinë e saj në terren qind për qind, pasi kjo ka të bëjë direkt me mbrojtjen e shëndetit publik të qytetarëve. Ndërsa, për zbatueshmërinë e ligjit i ka vlerësuar si të rëndësishme edhe institucionet lokale nëpër komuna.
Edhe Shaban Osmanaj nga inspektorati shëndetësor ka përmendur rezultat e kënaqshme që po i sjellë zbatimi i këtij ligji ndërsa Vëllaznim Surdulli nga Policia e Kosovës ka treguar gatishmërinë e këtij institucioni që ligji të gjej zbatim në terren. Ai tha se do të përkrahin inspektoratet për këtë çështje në çdo kohë.
E Shkumbim Spahija, në cilësinë e organizatorit, nga Qendra Kosovare për Avokim dhe Zhvillim – KADC,(Kosovo Advocacy and Development Centre), tha se po mbahen këto takime për t’u para gjendja aktuale e zbatueshmërisë së këtij ligji në komuna përkatëse dhe për të parë hapat që duhet ndjekur për të pasur rezultate pozitive.
Më pas janë nxjerrë edhe disa rekomandime dhe është formuar një grup punues që do të punojë në monitorimin dhe ndërmarrjen e hapave tjerë për të ndihmuar në arritjen e rezultateve pozitive kur është në pyetje zbatimi i ligjit për kontrollin e duhanit. /2lonline/