Vlerësohet se ky punim i këtij autori paraqet një kontribut të çmuar për shkencën juridike penale sepse deri më tani nuk është botuar në gjuhën shqipe ndonjë punim, në të cilin do të trajtohet në mënyrë të kaq të hollësishme dhe ekskluzive ankesa kundër aktgjykimit në procedurë penale.
Autori i këtij libri. Afrim Shala, tha se me prezantimin e këtij punimi para opinionit, pretendohet të njoftohet opinioni i gjerë profesional dhe joprofesional, me rëndësinë që ka paraqitja e ankesës ndaj vendimeve gjyqësore në përgjithësi dhe ndaj aktgjykimit në veçanti.
“Paraqitja e ankesës kundër aktgjykimit në procedurë penale, konsiderohet e drejtë themelore e njeriut, e cila për shkak të rëndësisë së madhe që ka, përveç me aktet juridike të brendshme të shteteve, është e paraparë dhe e garantuar edhe me aktet juridike më të rëndësishme ndërkombëtare”, ka sqaruar Shala.
Sipas tij, ankesa kundër aktgjykimit në procedurë penale, konsiderohet edhe si mjet për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, për arsye se ekziston mundësia që me këtë aktgjykim të jenë shkelur të drejtat e njeriut.
Shala tha se në këtë mënyrë gjykata më e lartë asnjëherë nuk e merr në shqyrtim çështjen të cilën e ka zgjidhur gjykata më e ulët, nëse kundër aktgjykimit të gjykatës më të ulët (si rregull gjykatës së shkallës së parë) nuk paraqitet ankesë.
“Prandaj, me shqyrtimin e çështjes nga gjykata e më e lartë, mundësohet që të mbrohen të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe në përgjithësi të eliminohen të metat që e kanë shoqëruar procedurën penale pranë gjykatës më të ulët, gjykatës së shkallës së parë”, ka potencuar Shala.
Për më tepër, Shala tha në këtë punim ankesa kundër aktgjykimit në procedurë penale trajtohet ashtu çfarë është e parashikuar me dispozita ligjore pozitive (de lege lata) dhe ashtu çfarë duhet të jetë (de lege ferenda), duke dhënë propozime dhe sugjerime për shumë çështje që kanë të bëjnë me objektin e studimit të këtij punimi”.
Përndryshe punimi monografik “Ankesa kundër aktgjykimit në procedurën penale të Republikës së Kosovës” përbëhet prej 251 faqeve dhe është i ilustruar me disa tabela, në të cilat janë të paraqitura të dhëna statistikore për një numër të konsiderueshëm të lëndëve penale nga praktika gjyqësore e disa gjykatave në Kosovë. /2lonline/