Për punën, kontributin dhe të arriturat në fushën shkencore, Lëvizja Vatra, ka nderuar të shtunën, me mirënjohje speciale profesor Dali Emërllahu. Me këtë rast kreu i Lëvizjes Vatra, Kushtrim Kadriu ka thënë se profesori i nderuar për asnjë moment nuk e harrojë vendlindjen e tij dhe të drejtat e shqiptarëve të Luginës.
Kadriu ka thënë se ky nderim që po i bëhet profesorit, me këtë mirënjohje, bëhet nga fakti se ai ishte në funksion të çështjes kombëtare, sakrifikues i denjë e pishtar i dijes dhe i shumë veprave, njeriu që la gjurmë në historinë e Universitetit të Prishtinës, që la gjurmë në librat shqip që nga fillorja e deri në Universitet.
“Vepra e profesor Dali Emërllahut dhe aktiviteti i tij patriotik e atdhetar na kanë bërë të ndihemi krenar” , ka thënë Kadriu. Sipas tij , Lugina nuk i harron njerëzit e devotshëm, e as përkrahësit e UÇPMB-së.
“Profesori Dali na ka mësuar se si duhet atdheu dhe se si punohet e jetohet me problemet kombëtare. Lugina profesor ju falënderon për këtë kontribut kolosal dhe për këtë avangardë të dijes që i dhatë popullit tuaj. Lugina ndihet borxhli ndaj jush dhe përulet me shumë respekt ndaj tërë asaj fuqie e pune që bëtë për ne dhe për Luginën” tha Kadriu.
Kurse Dali Emërllahu pasi ka falënderuar lëvizjen “Vatra” për këtë mirënjohje tha se kjo lëvizje definitivisht po bënë punë të mirë dhe në interes të popullatës së Luginës.”Mos harroni se problemi i Luginës është problem gjithëkombëtar dhe për asnjë moment Prishtina e Tirana nuk duhet ta lënë nën mëshirë popullatën e atjeshme” tha Emërllahu.
Profesori Dali i cili ishte edhe njëri nga pjesëmarrësit e platformës së UÇPMB-së tha se marrëveshja e Konçulit fatkeqësisht nuk u zbatua asnjëherë ose u zbatua në dëm të popullatës së Luginës. “Lugina tashmë ka nevojë për avancim të të drejtave të tyre dhe patjetër që duhet të ekzistojë reciprociteti sepse serbët po përfitojnë shumë të drejta e po avancohen në mënyrë të padrejtë. Lugina duhet të flas për vetën, duhet të flas e luftojë me dije e me përkushtim që të kthehet popullata e shpërngulur dhunshëm dhe në mënyrë masive nga vatrat e saja” tha Emërllahu.
Porosia e Dali Emërllahut ishte që Lugina dhe forcat e atjeshme politike duhet të punojnë në mënyrë ekipore dhe me një strategji afatgjate për të fituar të gjitha betejat dhe sfidat që dalin atje.
Ndryshe Dali Emërllahu padyshim që mbetet njëri nga figurat më të spikatura të arsimit shqip në Kosovë i cili me angazhimin e tij prej një eksperti, studiuesi, atdhetari, patrioti e mbi të gjitha të një pedagogu të dëshmuar arriti që për shumë vite të nxjerr gjenerata të tëra në dritë.
Dali Emërllahu do të mbetet gjatë në kujtesën arsimore e universitare. Pjesëmarrës dhe autor i shumë ngjarjeve politike, arsimore, shkencore e kulturore. Autor i qindra punimeve shkencore e studimore, veprues e bashkërendues i shumë situatave nëpër të cilat ka kaluar populli i Kosovës dhe ai i Luginës.