Dielli atë mëngjes nuk lindi, jo se dielli vonohet për shkak të vdekjes së dikujt, por ti ishe vetë dielli i shtëpisë sonë. Pjesë e kësaj bote ishe edhe ti, e butë për nga natyra, por e fortë për nga forca e shpirtit dhe zemërmadhe. Ishe e dhimbsur, por lotin gjithmonë e fshehe se frikësoheshe mos vallë po bëhem unë loti.
Nga: Rashit Zylfiu
Ti më doje kur unë harroja të thosha të dua. Nuk urreve, as më mësove të urreja dikë. Nuk bëre keq dhe çdoherë më pengove nga e keqja, më mësove si të rrija larg të keqes.
Kam frikë se letrat dhe lapsat e mi do të harxhohen, por fjalët për ty asnjëherë. Ti bëre shumë. Kur më solle në jetë, vdekjen me dhembje e shijove para se të vinte vdekja e vërtetë. Në jetë u mërzite që unë të isha i lumtur, u sëmure që unë të shërohesha, qëndrove e uritur që unë të ngopesha, qave shpeshherë që unë të qeshja, brengat e mia ishin edhe të tuat.
Gjithmonë më dhe dashuri, lumturi, por falënderim e kompensim nuk kërkove.
Unë sot ndiej dhembje sepse jam pjesë e jotja. Por, dhembjet e tua asnjëherë nuk m’i tregove.
Kur më kishe parë për herë të parë, çdo gjë e kishe harruar. Vonë e kuptova se djepi nuk lëviz vetë.
Shikimin nuk e largoje nga unë asnjëherë dhe për ty mbeta çdoherë i vogël, sepse pata nevojë. Mendova se u rrita, por prapë për ty pata nevojë sepse rrugës frikësohesha të ecja pa ty.
Ti u bëre kurban për ne. Njëri sy asnjëherë nuk u mbyll derisa ne ishim larg teje. Një ditë u gëzove kur u bëre gjyshe dhe nga larg na mësoje se si lahet fëmija.
U bëre gjyshe me plot nipa e mbesa. Ata silleshin rreth teje si zogjtë në fole sepse foleja jote qe shumë e madhe. I doje dhe të donin. Shkove dhe në momentet e fundit për ta u kujdese.
Preje teje mësova durimin sepse jeta mund të të dhurojë edhe dhembje, dashurinë sepse njeriu duhet të dashurojë, sakrificën se me të ia arrin qëllimit. Gjërat e huaja nuk bëhen tuat, musafiri vjen me bukën e vet. Të fitosh me nder është vetë nderi. Të mos e kërkosh problemin, e ke zgjidhur atë. Të jesh i heshtur është më mirë sesa të flasësh kur koha ka kaluar.
Të mos i mërzitësh njerzit është sekreti i lumturisë. Në jetë nuk ke ardhur për të zgjidhur problemet e jetës, por për mos t’i sjellë jetës probleme.
Më mësove se si duhet jeta. Ti ishe nëna më e mirë në botë sepse çdo nënë është vetë bota.
Gjatë rrugëtimit në jetë e pashë se bekimi yt ish i shenjtë. Lutja jote bëhej kabull.
Ti nuk kishe shkollë, por dite të më shkolloje kur më the: “Jo, se e lë shkollën.” Këtë sekret s’po e tregoj, se e dimë vetëm ne të dy.
Sëmundjes nuk ia dhe mundësinë të të rrëzonte sepse fuqia e besimit tënd në Zot të mësoi se si përballohet dhembja e sëmundjes.
Unë tani e di se ti nuk je më me trup, por me shpirt po, sepse ti ishe shpirti im.
Ta shkrova këtë letër që të të kujtoja, mallin për ty ta shuaja e të mbetej shenjë udhëzimi për ata që nënat i kanë gjallë, kurse ne që nuk i kemi, do të lutemi për ju. Të lutemi për ju që një ditë të takohemi në xhenet.
Zoti të mëshiroftë e të faltë nëna ime… Të dua derisa të vij te ti!