Shoqëria Civile nuk është pjesë e qeverisjes komunale në Gjilan!

Shoqëria Civile nuk është pjesë e qeverisjes komunale në Gjilan!

Me datën 30 prill 2018, Kryetari i Komunës së Gjilanit, në paraqitjen e tij para mediumeve informative, me rastin e prezantimit të qeverisë së re komunale, ndër tjerash ka deklaruar se pjesë e kësaj qeverie është edhe Shoqëria Civile e Gjilanit. Kjo, sipas neve, organizatave të poshtë-nënshkruara të Shoqërisë Civile të Komunës së Gjilanit, është një përgjithësim jo i drejtë dhe i pavërtetë.

Rrjedhimisht kalimi i individëve nga sektori i pavarur jo qeveritar, tani në qeverisje në Gjilan, siç është pohuar nga kryetari i Komunës, nuk mund të konsiderohet si hyrje e shoqërisë civile në koalicion me Komunën. Dëshirojmë të bëjmë të qartë se në lidhje me të ashtuquajturin “koalicion” ndërmjet shoqërisë civile dhe Komunës, nuk ka patur ndonjë diskutim, konsultim, apo marrëveshje paraprake brenda forumeve e as rekomandim të gjerë prej organizatave të shoqërisë civile.

Me qëllim që mos të keqkuptohet ky reagim, duam të shtojmë se propozimet individuale apo kalimi vullnetar i pjesëtarëve të shoqërisë civile në poste politike është i lirë dhe e drejtë e çdo individi që vendos të angazhohet në sferën publike.

Ne, organizatat e poshtëshënuara jemi të indinjuara me informatën e kumtuar në media nga kryetari i komunës, me që rast është keqpërdorur emri i shoqërisë civile dhe publiku është keqinformuar. Madje, një deklaratë e tillë është jo demokratike sepse shoqëria civile nuk mund të ketë edhe funksionin qeverisës dhe njëkohësisht joqeveritar.

Megjithëse si proces shumë i vonuar, zgjedhja e trupës së ekzekutivit është lajm i mirë. Në rrethanat e tanishme dhe vonesat e shkaktuara si rezultat i llogaritjeve dhe pozicionimeve të akterëve politik për ndarje të sektorëve dhe pushtetit, ju rikujtojmë se Gjilani ka kaluar në një proces të zgjedhjeve komunale që megjithatë është vlerësuar pozitiv. Kjo nuk do të thotë që politik-bërësit e zgjedhur të u ikin përgjegjësive dhe obligimeve që kanë marrë, sepse janë zgjedhur për të u shërbyer qytetarëve dhe se të njëjtit duhet të tregohen të përgjegjshëm. Ftojmë kryetarin e Komunës z. Lutfi Haziri të zbatoj Ligjin për Barazi Gjinore për përfaqësim të barabartë gjinor në organet ekzekutive.

Duke mos u vonuar, nga Komuna dhe institucionet e saja, presim të finalizojnë përfundimin e projekteve tashmë të stërzgjatura, të rrisin cilësinë dhe qëndrueshmërinë e investimeve kapitale për të cilat ka vërejtje të theksuara dhe njëkohësisht të angazhohet më tepër në mbrojtjen e mjedisit dhe planeve urbanistike në Gjilan. Po ashtu qeverisja e re komunale duhet të tregoj seriozitet për më tepër angazhim në përfshirjen e publikut në vendimmarrje, të ofrojë më shumë llogari për shpenzimet e parasë publike dhe raportim të kuptueshëm e të detajuar përpara publikut dhe organeve komunale.

Deklaratën e mbështesin:

OJQ KAND
OJQ CHANGE
OJQ AGROFARM
OJQ QKBN/KCIC
OJQ Merita
OJQ ANP– GJILAN
OJQ YAC
Liza Gashi – pjesëtare e shoqërisë civile;
Lavdi Zymberi – pjesëtare e shoqërisë civile;
Hekuran Aliu – pjesëtar i shoqërisë civile.

KOMENTE