Kirurgjia Vaskulare në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës është bërë me sallë të tretë të operacionit, me të cilën do të dyfishohet numri intervenimeve kirurgjike, duke ndikuar direkt në zvogëlimin e listave të pritjes.
Ky projekt kap vlerën e 200 mijë eurove. Nga mjetet e ndara është blerë një tavolinë kirurgjike, një llambë operative dhe është bërë rinovimi i ambienteve të sallës.
Në përputhje me nevojat, nga shuma e planifikuar, 100 mijë euro janë shpenzuar për blerjen e aparaturës në sallën e vjetër.
Drejtori i ShSKUK-së, dr. Basri Sejdiu, tha se në sallën e re kanë planifikuar të bëjnë operacione me laser me Radiofrekuencë në vena.
“Është klinika e vetme në Kosovë dhe në vazhdimësi presim investime tjera, në mënyrë që pacientëve t’ju mundësohet shërimi dhe mjekimi dhe të hiqet sa më shpejt listat e pritjes”.
“Procedura tenderuese është edhe për një aparat që mundëson operacione më pak invazive apo vendosjen e stentave nëpër arterie në sistemin vaskular”, tha Sejdiu.
Kjo hapësirë ka funksionuar si një barnatore e klinikës, e cila është transformuar në një sallë moderne.
Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismajli, në anën tjetër, vlerësoi se investimi në këtë Klinikë ka qenë kërkesë e kamotshme.
Ai, më tutje, tha se me këto investime po kursehet xhepi i qytetarëve dhe po zvogëlohet lista e pritjes së pacientëve, që kanë nevojë për këto shërbime.
“Është moderne siç shihet, i plotëson kushtet dhe ka potencial që t’ju shërbejë pacientëve në mënyrën me të mirë dhe me kualitetin më të lartë. Ka kërkesa shumë të mëdha dhe ka listë të pritjes”.
“Duke krijuar hapësira si kjo, moderne, dhe aparatura moderne do të jemi në gjendje të shtojmë shërbimet, ta ulim listën e pritjes dhe ta heqim fare atë dhe të shkurtojmë pagesat e mëdha që bëhen nga xhepi nga ana e qytetarëve, të cilët nuk mund të presin dhe kërkojnë trajtim qoftë brenda Kosovës në spitale private dhe jashtë Kosovës”, theksoi Ismaili.
Kurse, drejtori i Klinikës së Kirurgjisë Vaskulare, Hajriz Rudari, deklaroi se janë shumë të kënaqur me promovimin e sallës.
“Ka qenë një domosdoshmëri e kohës, sepse kemi një listë bukur të gjatë te pritjes. Shpresojmë që kjo listë të reduktohet, edhe pse ka shumë për t’u bërë. Edhe shpresojmë që, përveç zvogëlimit të pritjes, do të fillojmë trajtimet me metoda invazive”, tha Rudari.