Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës (PK), në Drejtorinë Rajonale në Gjilan ka bërë me dije se Policia e Kosovës Stacioni Policor në Viti ka pranuar një informatë se personi, shtetas i Kosovës, ka kërkuar ndihmë në Qendrën emergjente në Gjilan pas lëndimeve që ka pësuar në vendin e punës në punëtorinë për përpunimin e drurit që ndodhet në Ramjan.
Lëndimet janë të rënda edhe personi është transferuar për QKUK- Prishtinë.
“Ekip të Policisë së Kosovës, njësitet e hetimeve rajonale së bashku me krim-teknikët kanë bërë procedimin e vendngjarjes. Gjatë hetimeve preliminare lidhur me këtë ngjarje mësohet se viktima ishte lënduar gjersa kishte qenë duke punuar me makinë një dru pishe, ku nga makina ishte hedhur një pjesë e drurit dhe si rezultat e kishte goditur viktimën në pjesën e kokës dhe i kishte shkaktuar lëndime të rënda trupore”, ka thënë zëdhënësi Hashani.
Viktima është duke u mjekuar në QKUK, në Prishtinë dhe për momentin është jashtë rrezikut për jetë. Në vendngjarje është paraqitur edhe Inspektorati i Punës të cilët janë marrë me inspektimin e vendit të ngjarjes.
Me urdhër të prokurorit dhe të Inspektoratit të punës, zdrukthëtarisë në fjalë iu është ndërprerë puna përkohësisht, gjersa po merren veprimet e duhura hetimore se a ekzistojnë elemente të veprës penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, e cila mund të jetë kryer nga pronari i zdrukthëtarisë.