Livoçi i Ulët, Rruga e Frizajt dhe Blinaja me pjesëmarrjen e jashtëzakonshme në tubim, kanë dëshmuar përkrahjen e fuqishme për Lidhjen Demokratike të Kosovës, përkatësisht kandidatët për deputetë, Lirije Kajtazi, Imet Rrahmani, Valentina Bunjaku Rexhepi dhe Isa Agushi.
Kur pa këtë mbështetje, i dyti i LDK-së në nivel qendror, Lutfi Haziri, ka përcjellë sërish ‘selame’ për rivalët.
“Faleminderit për mbështetjen kaq masive. Imagjinoni, tubimi i sotëm i LDK’së në Livoç të Ulët është më masovik se tubimi në palestër i PDK’së dhe koalicionit të tyre”, tha i entuziazmuar Haziri, duke vazhduar me projektet e mëdha që kanë nisur, e që do të përfitoj Livoçi i Ulët.
“Prej daljes së Livoçit të Ulët e deri në qendër ka filluar rruga katër korsi e kushtueshme 2 milionë euro, ndërsa prej daljes së Livoçit e deri në Kllokot kostoja e standardizimit të rrugës është 4 milionë euro. Defakto, Livoçi do të integrohet si pjesë e qytetit. Këto projekte i kemi arritur me punë të hajrit, me duar të pastra dhe me dietë të ashpër në shpenzime. Të tillë janë kandidatët tanë për deputetë. Ata do t’i garantojnë investimet e mëdha, që përfshihet edhe Autostrada”, u shpreh Haziri.
Kandidatja Lirije Kajtazi, para të pranishmëve të shumtë, ka thënë se ndryshimin e madh do ta bëjmë se bashku më 11 qershor, për të shtuar se qytetarët e dijnë se kush e zhvati kuletën e popullit dhe kujt duhet t’i besohet ajo kuletë.
Ndërsa, kandidati tjetër i LDK-së, dr. Imet Rrahmani, tha se prania e madhe e qytetarëve të këtyre zonave në tubim, është konfirmim i besimit dhe i fitores së madhe të LDK-së.
Valentina Bunjaku Rexhepi pohoi se sukseset e qeverisë së udhëhequr nga LDK, rivalët nuk i duruan, prandaj edhe e çuan vendin në zgjedhje pa dashjen e LDK-së, duke shtuar se me fitoren e LDK-së do të vazhdohen punët e mëdha për Gjilanin dhe Kosovën.
Kandidati Isa Agushi ka deklaruar se LDK është e fjalës dhe e besimit dhe nuk premton atë që nuk e realizon. Ai premtoi se do të jetë zëri i fuqishëm qytetarëve në Parlamentin e Kosovës.
Ndërsa, Labinotë Demi Murtezi e ka falënderuar banorët e këtyre lokaliteteve për mbështetjen kaq të fuqishme, duke lutur që më 11 qershor të sensibilizohen qytetarët në mënyrë që Avdullah Hoti të kryeministër, i cili është shembull se si udhëheqet shteti.
*Hapësirë e sponsorizuar – Zgjedhjet Nacionale 2017