Një mision i filluar 32 vite më parë, për shumëkë edhe i pamundur, por për disa veçse rrugëtim i duhur për një popull liridashës e të vuajtur — nën siglën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, e nën udhëheqjen e Dr. Ibrahim Rugovës — ka arritur shumëçka nga synimi fillestar. Realisht, kjo përpjekje ka qenë esenciale për arritjen më të madhe të kombit shqiptar në shekullin e fundit: lirinë e Pavarësinë e Kosovës!
LDK ka një thesar të angazhimit historik, të suksesit politik, e përkushtimit kombëtar, që edhe sot i duhet procesit të finalizimit të procesit të shtetndërtimit.
Si parti politike LDK, më shumë se kujtdo tjetër, i takon aktivistëve, përkrahësve, e votuesve që i qëndruan besnikë vizionit themeltar të saj të përfaqësuar aq dinjitetshem nga Presidenti Rugova, edhe atëherë kur funksionarët partiak lajthitnin nga ky vizion.
Prandaj, festa e përvjetorit të LDK-së, sot më shumë se tri dekada pas themelimit, duhet të jetë festë ku nderohet aktivisti që derë më derë punoi për organizimin komunitar të lëvizjes e partisë, mësuesi që nuk e lëshoi ditarin nga dora edhe kur paga e kishte lënë atë, mjeku e infermjerja që u përkujdesën për të sëmurët jashtë institucioneve shëndetësore të okupuara nga regjimi serb, profesori që tek studentët mbolli vizionin e shtetit të pavarur, sindikalisti që përmes organizimit të punëtorëve mbajti gjallë lidhjen e solidaritetit tek të gjitha shtresat shoqërore, sportisti e artisti, shkrimtari e publicisti e gazetari që krijimtarinë kurrë s’e ndalën, ushtari e ushtaraku që kishte vendosë të pranojë vdekjen por jo më robërinë, mërgimtari që vetën e linte keq e Kosovën e mbante gjallë!
Andaj, sot përgëzimin e urimin tim për këtë përvjetor ia dedikoj këtyre njerëzve të mirë të Kosovës e të LDK-së — ju falëmnderit — LDK është e juaja, prandaj sot është ende këtu e do të jetë gjithëmonë, përgjerësa nuk e harron as themelin e vet e as juve!
Gëzuar e ju falëmnderit sot e përmot! /2LONLINE/