“Sot filluam takimet e para për vitin 2024, së bashku me Kryesinë e Degës dhe Këshillin e Kryetarëve të Nëndegëve. Në parim miratuam planin e punës për vitin 2024, planin buxhetor dhe planin e aktiviteteve dhe angazhimeve të komisioneve si dhe opozitbërjen tonë në Kuvendin Komunal”, ka thënë kryetari i Degës së LDK-së së Gjilanit, Lutfi Haziri.
Sipas Hazirit, LDK-ja do të jetë gjithmonë këtu për gjilanasit, qeverisja e pakicës po identifikohet me abuzim të ligjit, me kamionë të vjedhur, me shkelje të planeve rregullative e me mashtrim të madh.
“Zotohemi se jemi këtu për të gjithë gjilanasit. Kjo qeverisje e pakicës në Gjilan po identifikohet me abuzim të ligjit, me kamionë të vjedhur e shkelje të planeve rregullative, me mashtrim të madh. Nga mashtrimi i madh vjen dëshpërimi i madh. Ne jemi shpresa gjithmonë. Edhe në vitin 2000 edhe në vitin 2013, ishim ata që rikthyem besimin. Do të mbesim gjithmonë parti e besës dhe shpresës”, ka thënë Haziri.
Ai bëri me dije se më 21 janar, gjithashtu, shënohet edhe dita e ndarjes nga jeta fizikisht të Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova.
“Ai për trashëgimi la familjen e tij biologjike në Xërxë, Istog e Prishtinë. Për familje politike këtij vendi ia la Lidhjen Demokratike të Kosovës, e popullit të Kosovës ia la trashëgiminë më të madhe, Republikën e Kosovës, duke e bërë popullin e Kosovës të barabartë në botë me popujt e tjerë”, ka thënë Lutfi Haziri i LDK-së. /2LONLINE/