Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Dega në Gjilan përmes një komunikate të lëshuar Zyra për Marrëdhënie me Publikun, ka kërkuar anulimin e konkursit në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), duke e kritikuar pushtetin aktual se, nga konkursi në konkurs, po bënë super skandale që po e përcjellin përzgjedhjen e të “preferuarve” të pushtetit komunal.
Në këtë reagim të LDK-së thuhet se: “Përveç nepotizmit tipik, ku punësohet “shokët e ngushtë”, “gratë” e drejtorëve dhe “militantët” partiakë, tani kemi edhe shkelje drastike të Udhëzimit Administrativ(MPMS) Nr. 07/2017 për Rregullimin e Procedurave të Konkursit në Sektorin Publik. Absurditeti i këtij konkursi është se testi me shkrim ka qenë pa pikë të përcaktuara, pra, kandidatët gjatë testimit nuk e kanë ditur se me sa pikë vlerësohet një pyetje. Kjo paraqet shkeljen e Nenit 10, Pika 2 të Udhëzimit Administrstiv (MPMS) Nr.07/2017, ku kërkohet që çdo pyetje duhet të përmbajë pikët e caktuara”.
Në tej thuhet se “me këtë mendësi ata kanë lejuar edhe “lojën” me pikë për të favorizuar kandidatët e tyre të preferuar. Në listën preliminare, kandidatja me 79 pikë, që u rangua e pesta, në listën përfundimtare doli e dyta me 89 pikë.
E, shkelja tjetër e bërë në këtë konkurs, gjithnjë sipas LDK-së, është edhe vonesa e publikimit të listës definitive. Neni 11, Pika 9, përcakton se Komisioni Përzgjedhës, pas përfundimit të intervistës me procesverbal përpilon brenda tri ( 3) ditësh listën definitive. Lista definitive është publikuar 6 ditë pas testit me gojë të kandidatëve.
“Këtij administrimi komunal po i vie era myk në shëndetësi. I bëjmë thirrje organeve kompetente të shtetit tonë që ta hetojnë këtë skandal. Ky konkurs duhet të anulohet”, thuhet në fund të komunikatës të lëshuar nga Zyra për Marrëdhënie me Publikun e LDK-së në Gjilan. /2LONLINE/